“Na falënderuan që i mbrojtëm, më pas na përzunë”, 5000 ushtarë flenë jashtë pasi u larguan nga Kapitoli

Nga A2 CNN
22 Janar 2021, 10:04 | Bota

Mijëra pjesëtarë të Gardës Kombëtare u detyruan që të flenë në qiell të hapur dhe në parking, pasi iu tha se duhej të largoheshin nga ndërtesa e Kapitolit, të cilën e kishin mbrojtur 24 orë më parë.

Sipas “Politico”, rreth 5000 trupa kaluan natën në parking, ku kishte vetëm një tualet. Fotot tregojnë pjesëtarët e Gardës duke fjetur në tokë, në temperatura të ulëta.

Mësohet se ushtarët kishin dhoma hoteli në dispozicion, por llogaritja e turneve të tyre e bënte të vështirë kthimin nëpër dhoma gjatë pushimit. Mesnatën e së enjtes, Garda u pranua sërish brenda Kapitolit, pasi fotot e publikuara bënë që të shpërthenin polemika.

https://a2news.com/2021/01/13/fortesa-e-kapitolit-qindra-trupa-te-gardes-kombetare-flene-ne-hollin-e-kongresit-me-arme-ne-duar/

Një ushtar u shpreh se u ndje i tradhtuar kur u detyrua që të shkonte në parking: “Dje, senatorë e kongresmenë erdhën mes nesh dhe na dhanë dorën, na falënderuan për shërbimin dhe bënë foto me ne. Pas 24 orëve, nuk u duheshim më dhe na çuan në cep të garazhit”.

Një tjetër ushtar tha për CNN: “Pasi çdo gjë shkoi mirë, u konsideruam të padobishëm dhe na përzunë në parking. Lamë dy javë familjet dhe ja ku përfunduam. Nuk bëhet kështu”.

Një zëdhënës i Gardës tha se “rritja e trafikut” për faktin se Kongresi ishte në punë, çoi në vendimin për të larguar trupat drejt vendpushimit të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos