Moska tërheq trupa në Bjellorusi, por Zelenski akuzon: Ofensivë e re në Donbas

Nga A2 CNN
31 Mars 2022, 11:55 | Bota
Moska tërheq trupa në Bjellorusi, por Zelenski akuzon: Ofensivë e

Rusia u shpreh e gatshme për një armëpushim të përkohshëm në qytetin e shkrumbuar të Mariupol, për të mundësuar evakuimin e qytetarëve atje. Njoftimi i Moskës u prit me skepticizëm nga Kievi, e megjithatë autoritetet njoftuan se 45 autobusë do të dërgoheshin në qytetin-port i vënë nën shënjestër të vazhdueshme nga bombardimet ruse.

Pamje satelitore të kompanisë Maxar, treguan nivelin dramatik të shkatërrimit, ku shumica e godinave janë kthyer në rrënoja. Në bisedimet e zhvilluara në Turqi, Moska njoftoi planet për reduktim të aktivitetit ushtarak rreth Kievit dhe qytetit të Chernihiv, por atje vazhdojnë të raportohen bombardime e sulme me raketa.

Megjithatë, zyrtarë të mbrojtjes në SHBA thonë se forcat ruse po tërhiqen nga centrali bërthamor i Çernobilit dhe zona e Kievit, si dhe po zhvendosen në drejtim të Bjellorusisë.

 “Gjatë 24 orëve të fundit, kemi parë ripozicionim të një numri të vogël të trupave dhe batalioneve taktike të grumbulluara pranë Kievit. Ndoshta 20 për qind e tyre po ripozicionohen, dhe ne vlerësojmë se disa po tërhiqen në Bjellorusi”, deklaroi John Kirby, zëdhënës i Pentagonit.

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenki paralajmëron se trupat ruse po përqendrohen në rajonin lindor të Donbas, për një ofensivë të re.

https://a2news.com/2022/03/31/putin-po-keqinformohet-per-luften-inteligjenca-keshilltaret-kane-frike-ti-thone-te-verteten/

 “Procesi i negociatave vazhdon, por deri më tani mbetemi vetëm te fjalët. Moska tha se do të tërhiqte trupat nga Kievi dhe Chernihiv, por ne e dimë se nuk është një tërheqje, por rezultat i kundërofensivës tonë të suksesshme. Në të njëjtën kohë, po shohim grumbullim të trupave për sulme të reja në Donbas dhe ne po përgatitemi për këtë”, deklaroi presidenti ukrainas.  

Mediat ukrainase raportojnë se ushtria ruse ka qëlluar plumba me fosfor kundër civilëve në Donetsk, duke plagosur edhe fëmijë. Luftimet vijojnë të ethshme edhe në Kharkiv, por Moska pretendon se qytetarët nuk mund të largohen pasi trupat e Kievit, qëllojnë me mitralozë kundër godinave rezidenciale.

Sipas komisioneres për të drejtat e njeriut në Ukrainë, të paktën 148 fëmijë kanë humbur jetën në 35 ditë luftë.

Shpresat për një marrëveshje të shpejtë të paqes, u zbehën pas entuziazmit fillestar të bisedimeve në Turqi me palët që thonë se nuk është shënuar progres i mjaftueshëm. Bisedimet pritet të rinisin online më 1 prill, por Ankaraja bëri të ditur se një takim mes ministrave të Jashtëm, mund të zhvillohet brenda dy javëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos