Moti i keq në vend, zgjerohet sipërfaqja e përmbytur në Shkodër, rrëshqitje gurësh në disa akse

Nga A2 CNN
11 Janar 2021, 11:20 | Aktualitet
Moti i keq në vend, zgjerohet sipërfaqja e përmbytur në

Moti i keq vijon të mbajë të pushtuar vendin tonë dhe për shkak të parashikimeve aspak pozitive për shkak të reshjeve, Emergjencat Civile vijojnë të jenë në gatishmëri për të shmangur çdo përkeqësim të situatës.

Përmbytje janë regjistruar në disa zona dhe më problem kanë qenë prurjet e lumenjve dhe dëmtimi i shtretërve të tyre dhe akseve rrugore ku ato kalojnë pranë.

Situata më problematike momentalisht raportohet të jetë në qarkun e Shkodrës, ku nga një ditë më parë, harta e tokave të përmbytura është zgjeruar në 1823 ha.

Vijon të jetë e bllokuar për mjetet e vogla rruga e Obotit, ndërsa ujësjellësi Oblika 1 prej disa ditësh mbetet jashtë funksionit.

Në njësinë administrative Dajç, për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatrat Shirgj me Darragjat, gjithashtu vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Mali i Vukatanit, fshati Ganjollë.

Në Velipojë, aktualisht ndodhen 50 ha tokë bujqësore nën ujë në fshatrat Ças, Reç dhe Baks i Ri. Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme.

Në qarkun e Elbasanit, reshjet e shiut gjatë natës kanë qenë me intensitet të ulët e mesatar. Problematika kryesore në këtë qark ka qenë me rrëshqitjet e dheut në akset, Librazhd-Prrenjas, Cerrik-Gramsh dhe Gramsh-Kodovjat. Firmat kontraktore dhe punonjësit e bashkive respektive kanë punuar me pastrimin e rrugëve dhe qarkullimi vijon normalisht.

Lumenjtë Shkumbin e Devoll janë pranë pikës së tyre maksimale dhe po mbahen në monitorim në të gjitha pikat ku mendohet se mund të shkaktojnë përmbytje.

Në dy shkolla, një në Labinot-Fushë dhe një në Kushovë të Gramshit nuk është zhvilluar mësim, gjithashtu në disa zona të thella ka pasur dhe probleme me furnizimin me energji elektrike.

Në qarkun e Korçës, sipas informacioneve të Emergjencave Civile, reshjet e shiut nuk kanë shkaktuar probleme. Në akset nacionale dhe rurale, qarkullimi i mjeteve kryhet normalisht.

Disa probleme janë krijuar në furnizimin me energji elektrike në Mollas, Vithkuq, Lozhan.

Në qarkun e Vlorës, problematik mbetet lumi i Vjosës, i cila ka prurje të shumta, por për momentin nuk ka dalë ende nga shtrati. Situata po monitorohet nga momenti në moment nga autoritetet lokale.

Aktualisht, në këtë qark nuk ka banesa të përmbytura dhe rrugë të bllokuara. Hidrovoret janë në gjendje pune. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos