Ndërsa Manchester United realizonte fitoren më të madhe në Premier League që prej largimit të Sir Alex Ferguson, nën drejtimin e trajnerit të ri Ole Gunnar Solskjaer, Jose Mourinho u rikthye për herë të parë në stadium që prej shkarkimit.
I shoqëruar nga djali i madh, Jose Mario, trajneri portugez ishte i pranishëm në Setubal, qytetin e tij të lindjes, për të ndjekur ndeshjen e skuadrës vendase. Por edhe në këtë rast fati nuk ka qenë me të, sepse Setubal është mundur 2-0 kundër Santa Claras.
Ndërkohë, mbi 2 mijë kilometra më larg, në Angli, mediat atje zbulojnë një detaj nga shkarkimi i Mourinhos. Sipas “The Sunday Times” kur është thërritur në zyrë nga Ed Woodward të martën e kaluar, portugezi ka menduar se po shkonte atje për të biseduar mbi blerjet që do të bëheshin në të ardhmen.
Por në vend të kësaj, i është komunikuar shkarkimi nga detyra, një vendim që është marrë nga bordi i drejtuesve të klubit. (A2 Televizion)