
Mungesën e fuqisë punëtore në vend, ministrja e Mbrojtjes së Sipërmarrjes, Edona Bilali, e ftuar në A2 Business u shpreh se një zgjidhje mund të vijë nga procesi i Ballkanit të Hapur.
Bilali theksoi se lëvizja e lirë e njerëzve në Ballkan mund të kompensojë boshllëkun e fuqisë punëtore në vendin tonë.
“Paralel me ritmin e integrimit është rritur edhe numri i kompanive prezente në këto zona. Kjo është një statistikë të cilën e kam vërejtur edhe personalisht. Një zgjidhje që ofrohet aktualisht është nëpërmjet Ballkanit të Hapur. Kur themi lëvizja e lirë e njerëzve është pikërisht kjo. Kur nesër të vijë një kompani të investojë në Shqipëri, ofertën për burime njerëzore nuk e ka 3 milionë banorë, por e ka 22 milionë banorë sa është Ballkani.
Ne po shtrojmë terrenin që, si për shqiptarët që duan të punojnë në shtetet e tjera të Ballkanit, ashtu edhe për ballkanasit për të ardhur për të punuar në Shqipëri, të jetë krejtësisht e lehtësuar. Kjo mendoj se do ta kompensojë këtë boshllëk”, tha ministrja. (A2 Televizion)