
Epidemiologu, Taulant Muka, foli në A2 mbi situatën aktuale nga pandemia e koronavirusit. Për epidemiologun, rritja e rasteve të reja në Shqipëri ka ardhur si pasojë e shtimit të numrit të testimeve.
Këtë ide të tij, ai e mbështeti te qëndrimi thuajse i pandryshueshëm i vdekshmërisë. “Kohët e fundit, numri i testimeve është rritur në Shqipëri dhe nga ana tjetër nuk shohim një rritje të vdekshmërisë. Është e vështirë të interpretojmë të dhënat”, tha Muka.
Më tej, ai u pyet edhe për mungesën e gripit stinor gjatë kësaj periudhe, ku hodhi poshtë mundësinë që kjo të ketë ardhur si pasojë e masave ndaj koronavirusit.
“Shumë persona thonë se janë masat e ndërmarra që kanë ndikuar, por kjo nuk qëndron shumë, pasi ka shumë popullata që nuk i zbatojnë masat dhe rastet Covid janë të larta, ndërsa rastet me gripin sezonal nuk ekzistojnë. Pritet të shohim në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Muka. (A2 Televizion)