
Beteja ligjore për pasuritë e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është zhvendosur në Gjykatën e Lartë. Llalla ka kundërshtuar në këtë gjykatë vendimin e Apelit të Posaçëm të ditëve të para të janarit, që rivendosi në sekuestro pasuritë e tij.
Në zbatim të vendimit të Apelit, Llallës i janë “ngrirë” pasuritë, apartament në Durrës, si edhe 4 sipërfaqe trualli, gati 20 mijë metra katrorë në total.
Në rekursin e depozituar në Gjykatën e Lartë, ish-kryeprokurori pretendon se Apeli i Posaçëm në vendimin e tij ka dalë jashtë kërkesave të Prokurorisë. Kjo për faktin se në ankimin e bërë në Apel nuk kishte kërkuar risekuestrim të pasurisë, por kundërshtonte mosprocedimin e Llallës për një prej shpenzimeve të tij, të pretenduara si të padeklaruara.
Adriatik Llalla ka aktualisht statusin e të pandehurit në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do të gjykohet për akuzën e “fshehjes dhe mosdeklarimit të pasurisë”, kryer në tri raste, vepër për të cilën Kodi Penal parashikon dënim nga gjobë, deri në 3 vite burg. (A2 Televizion)