Mungesat e mëdha, nga Nadal te Neymar, “Tokyo 2020” këtë herë pa shumë yje

Nga A2 CNN
22 Korrik 2021, 14:41 | Sporte të tjera

Pa tifozë, por edhe pa shumë emra që kanë shkruar historinë e Lojërave Olimpike. Toyko 2020 ka nisur, por për herë të parë nuk ka shkëlqimin maksimal, me yje të botës së sportit që mungojnë për probleme nga më të ndryshmet.

Rafael Nadal vendosi të heqë dorë nga Lojërat pas humbjes në gjysmëfinalet e Roland Garros. Duke dashur të ketë karrierë më të gjatë sportive, për kampionin Olimpik të 2008-ës dhe 2016-ës, këto dy evenimente kanë qenë të pamundura për tu përballuar.

Edhe amerikania Serena Williams dhe fituesja e medaljes së artë në vitin 2012 Viktoria Azarenka, janë jashtë për të njëjtën arsye. Por ka edhe nga ata si tenisti grek, Nik Kirgios që ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes, që ka zgjedhur të mos shkojë në Tokyo pasi e cilëson të pakuptimtë të luaj pa praninë e publikut.

Me vullnet të plotë për t’u tërhequr ka edhe numri një në botë i golfit, Dustin Xhonson. Ndërkohë futbollistët Neymar, Kilian Mbappe apo Mohamend Salah kërkuan të përfaqësojnë vendet e tyre në Olimpiadë, por kërkesa u refuzua nga klubet respektive.

Të shumta janë edhe mungesat prej dëmtimeve që kanë penalizuar dhjetëra sportistë kryesisht tenistë.

Roxher Federer bëri të ditur vendimin e tij pak përpara nisjes së Lojërave Olimpike për shkak se vuan ende lëndimin në gju, bashkë me të garat do t’i ndjekin nga shtëpia edhe Dominik Tiem, Stan Vavrinka, Simano Halep e së fundi edhe Mateo Berretini, nënkampioni i Wimbledon. Një tjetër vend “bosh” është nga rekordmeni të 800 metrave David Rudisha, Keniani që nuk garon prej 2017 për shkak të një aksidenti dhe disa dëmtimeve të tjera.

Në “Tokyo” ka edhe yje që mungojnë të pezulluar për shkak të përdorimit të dopingut si ish-kampioni i 100metrave Kristian Koleman apo nga ata që kanë befasuar duke mos arritur të kualifikohen sikurse atleti i 100 metrave Justin Gatlin, kampion në vitin 2004apo Legjenda e 5000 dhe 10000 metrave, 4 herë kampioni olimpik Mo Farah që çuditërisht nuk arriti të regjistrojë kohën e mjaftueshme për t’u kualifikuar këtë edicion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos