Mungon mishi, rritet sasia e importuar, konsumatorët po e paguajnë më shtrenjtë

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2022, 12:03 | Aktualitet

Mishi është një ndër produktet për të cilin shqiptarët po paguajnë më shtrenjtë. Në varësi të llojit, rritja luhatet nga 100 lekë tek ai i viçit e kecit, në 250 lekë te mishi i qengjit.

“Është ngritur shumë çmimi këtë vit, sidomos i qengjit. Nga 850 që e kemi pasur, këtë vit ka shkuar në 1100 lekë”, tregon Sami Sinani, kasap.

Sami Sinani, kasap prej më shumë se 30 vjetësh tregon shtrenjtimi vjen edhe si pasojë e mungesës së mishit në tregun vendas.

“Janë shitur bagëtitë të gjitha. Në Shqipëri nuk merret më njeri me blegtori. S'po e kuptoj se çfarë po bëhet”, shprehet kasapi.

Kjo konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave nga ku rezulton se sasia e mishit të prodhuar në vend në vitin 2020 u rrudh me 11 tonë, krahasuar me 2018-n.

“Dy janë arsyet kryesore. Së pari, largimi i banorëve nga fshati, së dyti është falimentimi i disa komplekseve blegtorale në Shqipëri”, shprehet Ndoc Faslia, pedagog, ekspert bujqësie.

Mungesa në vend e një prej produkteve më të konsumuara nga shqiptarët, ka bërë që importet të arrijnë në gati 44 tonë vitin e shkuar, shifër kjo më e larta e shënuar në vitet e fundit.

Po si mund të korrigjohet ky kurs që dëmton si fermerët ashtu edhe konsumatorët shqiptarë? “Shqipëria nuk ka nevojë të zgjerojë kapacitetet përpunuese, por duhet të rritet prodhimi dhe standardet. Kjo bëhet duke orientuar të paktën 70% të skemës së subvencionit në sektorin blegtoral kryesisht për prodhim”, shprehet Faslia.

Për shkak të mungesës së subvencioneve e politikave aspak lehtësuese fiskale, fermerët në Shqipëri janë dekurajuar për t’u marrë me blegtori. Nga 475 mijë gjedhë në vitin 2017, numri u reduktua në 363 mijë vitin 2020. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos