Tahiri në burg, Gjokutaj: Duhej të dënohej si bashkëpunëtor në trafikim dhe pjesëmarrës në organizatë kriminale

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2022, 21:32 | Aktualitet
Tahiri në burg, Gjokutaj: Duhej të dënohej si

Avokati Genc Gjokutaj ka komentuar në studion e Debatit në A2 CNN me Alba Alishanin edhe dënimin me 3 vjet dhe 4 muaj burg të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Duke e konsideruar këtë vendim kurajo civile dhe ligjore të gjykatës në kushtet e Shqipërisë, Gjokutaj vlerëson ish-ministrin për përballjen nga fillimi deri në fund me drejtësinë, përkundër ish-kryeprokurorit Adriatik llalla i cili iu shmang ekzekutimit të vendimit.

“E vetmja vlerë e Tahirit është që është përballur me procesin nga fillimi deri në fund edhe me median, ne kemi raste të tjera ish-prokurori Llalla iu shmang ekzekutimit të vendimit”.

Në gjykimin e tij avokat Gjokutaj shprehet se Tahiri nuk duhej të dënohej për shpërdorim detyre, por si bashkëpunëtor në trafikim dhe pjesëmarrës në organizatë kriminale.

“Kualifikimi ligjor i veprës është i gabuar. Në këtë rast dy janë opsionet; deklarimi i i pafajshëm ose fajtor për bashkëpunëtor në trafikim dhe pjesëmarrës në organizatë kriminale. Jo për akuzën e shpërdorimit të detyrës për bashkëpunim. Gjykata pranon lidhjen më Habilajn, marrjen e shpërblimeve, por thotë kjo është shpërdorim detyre. Kjo nuk shkon”.

Duke bërë një retrospektivë të gjithë procesit gjyqësor të Saimir Tahirit, ai thotë se ish-ministri ka pasur mbrojtje politike, teksa sjell në vëmendje edhe handikapin e krijuar nga gjykata e shkallës së parë.

“Kjo çështje është kthyer nga gjykata e lartë. Fillimisht u dënua nga Shkalla e Parë dhe është dënuar me kusht vënien në provë. Këtu fillon handikapi i parë i gjykatës së shkallës së parë. Tahiri ka kërkuar pafajësi dhe gjykata e ka vënë në provë. Nuk mund  të vihet në provë ai që kërkon pafajësinë. Tahirit i është dhënë një mbrojtje politike në fillim, duke e kthyer komisionin e Imunitetit dhe Mandateve në filtër procedurial që nuk ekzistonte më parë. Çështja kalonte përmes këtij komisioni formal dhe shkonte në seancë parlamentare për dhënien e lejes për arrest ose jo. Kjo nuk ndodhi. Janë kërkuar dokumentat dhe ata prokurorë që kanë përfaqësuar në komision çështjen, janë shkarkuar nga vetingu”.

Gjokutaj apelon për inkurajim të trupës gjykuese dhe jo anatemim nga media.

“Ne nuk kemi parë vendimin e arsyetuar, por shpresoj që gjykata do të japë një vendim të njëjtë por argumentimi i shpërdorimit të detyrës, besoj se do jetë i zgjeruar për heqjen e pezullimit të ekzekutimit me burgim dhe këtu ndryshon nga vendimi i mëparshëm. Për opinionin publik është element i ndëshkueshmërisë, është kurajo civile dhe ligjore. Është diçka por jo gjithçka. Ka gjithmonë një histori të parë. Ky trup gjykues është ndër më të mirët që kemi. Media t’i inkurajojë këta gjyqtarë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos