
Moti është përkeqësuar pothuajse ne te gjithë territorin shqiptar, duke sjell serish vështirësi ne akset rrugore.
Prej pak orësh kanë nisur reshjet e borës në lartësinë mbi 900 metra mbi nivelin e detit në Qarkun e Dibrës. Kjo ka bërë që reshjet të paralizojnë qarkullimin e automjeteve drejt Tiranës nëpërmjet rrugës së Arbrit.
Trashësia e borës në bypassin e Murrizit ka arritur në 15 centimetra, duke bërë të vështirë qarkullimin e automjeteve dhe të detyrojë autoritetet të bllokojnë hyrjen e automjeteve në fshatin Fshat në Klos dhe Bastar i Mesëm në Tiranë.
Ndonëse në rrugë janë mjetet borëpastruese për shkak të reshjeve të shumta që vazhdojnë pastrimi i menjëhershëm i rrugës është i pamundur.
Ndërkohë, kanë filluar reshjet e dëborës edhe në Qafë Thanë. Po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e rrugës, dhe për momentin qarkullimi kryhet pa probleme.
Drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes në lëvizje, në këtë aks, të respektojnë sinjalistikën rrugore të reduktojnë shpejtësinë dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë.
Dëborë edhe në Dardhë, reshje te dendura në Qafe Plloçe, Qafe Qarri, Dardhë, Voskopojë por dhe qytetet Korçë e Pogradec, pa probleme për qarkullimin.
Në verilindje, gjatë pasdites së sotme i gjithë qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e borës.
Autoritetet lokale kanë evidentuar akset rrugore që duhet të shmangen për lëvizje të panevojshme. Ato janë aksi rrugor Kukës-Has, i përfshirë nga reshjet e dëborës dhe rënie gurë; Aksi rrugor Kukës-Shishtavec, ku ka rënie gurësh dhe erëra të forta; Aksi rrugor Fushë Dukagjin-Qafë Shllak, ku është hapur njëra korsi, por po punohet për hapjen e korsisë tjetër, si dhe aksi rrugor Bajram Curri- Valbonë, i përfshirë nga reshjet e dëborës dhe rënie gurësh. (A2 Televizion)