Napoli marshon i qetë në krye

Nga A2 CNN
13 Shkurt 2023, 12:35 | Futboll
Napoli marshon i qetë në krye

Napoli ka hedhur një tjetër hap drejt titullit kampion, pasi dhe këtë herë mposhti 3-0 Cremonesen në shtëpi, duke vazhduar i qetë marshimin në majë të tabelës.

Skuadra e Luciano Spalleti nuk e vuri për asnjë moment në dyshim fitoren. Ishte gjeorgjiani Kvaratskhelia ai që i dha avantazhin skuadrës së tij në pjesën e parë të sfidës.

Edhe në fraksionin e dytë historia nuk ndryshoi. Osimhen lehtësisht dyfishoi rezultatin dhe spektakli napoletan nuk u mbyll me kaq. Elmas la “gjurmën” e tij dhe mbylli gjithçka me rezultatin përfundimtar 3-0. Një sukses që dërgon Napolin në kuotën e 59 pikëve, 16 larg Interit, i cili ka një ndeshje më pak.

Më herët, Juventus fitoi minimalisht ndaj Fiorentinës, duke u rikthyer në 10 skuadrat më të mira në Serinë A. Një ndeshje e bukur dhe me shumë polemika. Bardhezinjtë kaluan në avantazh që në pjesën e parë, falë një goli të Rabiot, i cili në minutën e 34-të tundi rrjetën pas një goditjeje me kokë.

Edhe pas kësaj, “Zonja e Vjetër” tentoi disa herë për golin e dytë. Vlahoviç e dërgoi topin në rrjetë, por më pas gjithçka u anulua për pozicion jashtë loje. Fundi ishte drithërues për skuadrën e Allegrit. Kjo për shkak të golit të Castrovilli, në minutën e 90-të, që barazoi shifrat pas një gjuajtjeje nga jashtë zonës.

Arbitri, pas konsulencës dhe me sistemin VAR, anuloi golin për pozicion jashtë loje të Ranierit gjatë aksionit, edhe pse ky i fundit nuk e kishte prekur topin. Kaq mjaftoi që Juventus të merrte fitoren dhe të shkonte në kuotën e 29 pikëve, në vendin e nëntë në kampionat.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos