Natë e qetë në Vatikan e Betlehem, Papa: Të ndihmojmë të varfrit

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2020, 10:06 | Bota
Natë e qetë në Vatikan e Betlehem, Papa: Të ndihmojmë

Papa Françesku drejtoi një meshë të thjeshtë në Vigjilje të Krishtlindjeve ku morën pjesë vetëm pak njerëz. Thuajse e zbrazët edhe Kisha e Lindjes në Betlehem, ku besohet se lindi Jezu Krishti.

Hija e pandemisë eklipson festën e Krishlindjeve këtë vit. Në një meshë të thjeshtë, e zhvilluar dy orë më herët për t’iu përmbajtur rregullave anti-covid, Papa Françesku u kërkoi qytetarëve të mos ia kursejnë ndihmën njerëzve në nevojë. 

Mesha u zhvillua në një zonë të pasme të Balizikës së Shën Pjetrit në prani të rreth 100 pjesëmarrësve, dhe një numri të vogël të pjesëtarëve të klerit. Zakonisht, mbahet në zonën kryesore të Bazilikës, në prani të më shumë se 10 mijë pjesëmarrëve, përfshirë trupat diplomatike nga rreth 200 vende. Të gjithë, përveç Papës dhe korit të vogël, mbanin maskë gjatë meshës

Në orën 22:00, kur hyn në fuqi shtetrrethimi gjithçka kishte përfunduar.

“Biri i Zotit lindi i braktisur, për të na thënë se çdo i braktisur është një fëmijë i Zotit. Ai erdhi në botë ashtu si çdo fëmijë vjen në botë, i dobët dhe i brishtë, për të na mësuar që t’i pranojmë dobësitë tona me dashuri”.

Më vonë, Papa do të lexojë mesazhin Urbi et Orbi, për qytetin dhe botën, nga një holl brenda Vatikanit dhe jo ballkoni i bazilikës së Shën Pjetrit, siç bën zakonisht. Italianët janë në izolim kombëtar, me dyqanet jothelbësore që kanë mbyllur dyer e lëvizjet që lejohen vetëm për arsye urgjente.

Në Jeruzalem, Patriarku Pierbattista Pizzaballa drejtoi meshën në vigjilje të Krishtlindjeve, në Kishën e Lindjes. Mesha në qytetin Betlehem në Bregun Perëndimor, zakonisht josh mijëra besimtarë nga e gjithë bota, por këtë vit u zhvillua në praninë e pak klerikëve. Presidenti palestinez, Mahmuhd Abas, nuk mori pjesë në shërbesën e këtij viti.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos