Ndahet nga jeta aktori i mirënjohur shqiptar Xhevdet Feri

Nga A2 CNN
16 Janar 2020, 18:09 | Aktualitet
Ndahet nga jeta aktori i mirënjohur shqiptar Xhevdet Feri

Ai është gjithnjë protagonisti. Thuajse asnjë regjisor nuk ka menduar ta veshë me karakterin e një personazhi dytësor. Xhevdet Feri ishte ende student kur u bë protagonist i një filmi, por do të spikaste jo vetëm për portretin plot qetësi e siguri në ekran, por edhe për rrafshet emocionale që do të mund të sillte përmes natyrës së tij flegmatike. Aktori dhe krijuesi i dhjetëra karaktereve në kinema e teatër, sot është ndarë nga jeta. Një sëmundje e rëndë e ka marrë aktorin pasditen e kësaj të enjteje, por portretin e tij meditativ e të paqtë e la të shënjuar përmes thuajse 20 produksioneve kinematografike dhe dhjetra shfaqjeve teatrale.

Në vitin 1985 do të bëhet i njohur me interpretimin e rolit të Agronit në filmin e dytë të tij "Hije që mbeten pas", por dallon dhe triumfon fill pas këtij karakteri me filmin "Dhe vjen një ditë". Këtu Xhevdet Feri nderohet me medaljonin e festivalit që dikur bëhej për artin e shtatë.

Nuk hoqi dorë asnjëherë nga karriera artistike edhe pse për pak kohë u bë edhe pjesë e politikës. Kinemaja do të mbetej rruga e tij e tij e përjetshme. Që kur u diplomua në vitin 1982 në Akademinë e Arteve për dramaturgji, ai nisi të japë shumë jo vetëm për publikun, por edhe për të ardhmen, ndonëse të vështirë të artit.

Është ndër të paktët aktorë të brezit të tij që specializohet në fushën e “Menaxhimit të Institucioneve Artistike” në Amsterdam e Oksford. Kështu, Xhevdet Feri u bë shpejt pedagogu i mjeshtërisë së aktorit në këtë Akademi, deri në detyrën si Dekan i Fakultetit të Artit Dramatik pranë kësaj Akademie.

Nga vitet 1995-1999 ishte drejtor i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke e marrë sërish këtë post në vitin 2006. Ndërsa në vitet 1999-2001 emërohet drejtor i Teatrit Kombëtar.

Ne vitin 2004 është bashkëthemelues i Shoqatës së Kineastëve, por nuk e braktisi asnjëherë impenjimin e vazhdueshëm në QKK apo këshillat e kritikën për ata që e vlerësonin dhe kërkonin mendimin e tij.

Ai ishte dhe do të mbetet profesor i mjeshtrisë së aktorit, për shumë nga ata që sot ngjiten në skenën teatrale dhe që formësojnë artin e shtatë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos