Dy javëshi i parë i janarit ka shënuar një rritje të numrit të fëmijëve që paraqiten në urgjencën e pediatrisë në spitalin rajonal të Elbasanit. Temperaturë e lartë, dhimbje koke, barku dhe të vjella janë simptomat më të shpeshta që hasen tek fëmijët që marrin ndihmën mjekësore.
Pavarësisht rritjes së fluksit të vizitave, situata sipas mjekëve specialistë është në kufijtë e normales, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të viteve te kaluara. Ata apelojnë për kujdes të shtuar tek fëmijët, duke i orientuar që ndihma e parë për raste jo të rënda të kërkohet tek mjeku i familjes.
“Zakonisht numri i fëmijëve që vijnë në urgjencë shkon në 100 në 24 orë, përveç fundjavës ku vihet re një shtim i lehtë i paraqitjeve. Fëmijët që vijnë janë me temperaturë të lartë, kollë, rrufë, dhimbje gryke apo veshi, po njëkohësisht ka raste me bark e të vjella. I këshillojmë prindërit që të menaxhojnë mirë temperaturën e fëmijëve të tyre dhe të paraqiten fillimisht te mjeku i familjes. Dhe nëse ky i fundit e shikon që duhet të shkojnë tek një specialist, atëherë duhet të shkojnë te specialisti pediatër” u shpreh pediatrja Irena Palloshi.
Fatmirësisht deri më tani në Pediatrinë e Elbasanit nuk është shënuar asnjë rast me meningit. (A2 Televizion)