
Artistja Hueyda El Saied është ndarë nga jeta në moshën 46-vjeçare. Mësohet se Hueyda, vuante nga një sëmundje e rëndë, me të cilën nuk mundi ta fitonte betejën. Ajo u shua mëngjesin e së martës në një spital të Luksemburgut.
Hueyda, e lindur në Tiranë, u bë e njohur në Shqipëri pasi fitoi konkursin televiziv të kërcimit “Dymbëdhjetë vallëzime pa një të shtunë".
Artistja multidimensionale kishte provuar të bënte thuajse gjithçka, sa i takon televizionit. Ajo këndoi, ishte balerinë, koreografe, moderatore dhe piktore.
Në vitin 2000, botoi romanin e saj të parë “Ngjyra e lëkurës sime”, ndërsa në vitin 2006 romanin “Maska e zemrës”.
Hueyda El Saied ishte nënë e një djali 6-vjeçar, Gabrieli, nga marrëdhënia me ish-partnerin Michael Tamisier.
Ndërsa në dhjetor 2020, Hueyda u martua me Thierry Grosjean, i cili birësoi Gabrielin dhe të tre jetonin në Luksemburg.
Lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta së artistes dhe gazetares, Hueyda El Saied, në moshën 46-vjeçare ngjalli reagime të forta e prekëse nga personalitete të rëndësishme. Përveç personazheve mediatikë apo artistë, pati reagim edhe nga bota e politikës.
El Saied do të kujtohet si një nga portretet më të ëmbla, të dashura dhe karizmatike të ekranit shqiptar. (A2 Televizion)