Masat për koronavirusin, koordinatori i përhershëm i OKB në Tiranë për A2: 150 punonjës do të punojnë nga shtëpia

Nga A2 CNN
12 Mars 2020, 16:37 | Aktualitet
Masat për koronavirusin, koordinatori i përhershëm i OKB në

Edhe zyra e OKBA në Tiranë u bashkohet masave drastike të ndërmarra nga qeveria mbi respektimin e distancave edhe në punë, duke u mundësuar 150 punonjësve të saj kryerjen e aktivitetit nga ambientet e shtëpisë.

Koordinatori i përhershëm i zyrës së OKB në Tiranë, Brian Williams, teksa gjendej i izoluar në banesën e tij, në një lidhje “live” në A2, konfirmon se të gjithë punonjësve u është mundësuar aksesi nga shtëpia.

“Unë ndodhem në shtëpinë time. Nuk jam izoluar, por ky është një hap që e kemi ndërmarrë si zyrë për të mbështetur qeverinë shqipare dhe masat e njoftuara prej saj në lidhje me parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ne jemi një personel prej 150 shqiptarësh dhe shtetas të huaj që punojmë në Tiranë dhe me bindjen ndaj thirrjes së autoriteteve shqiptare duam të japim edhe një shembull të mirë për mbarë shqiptarët si masë parandaluese. Po e përdorim këtë moment për të lexuar edhe libra të bukur gjithashtu. Në faqen tonë online kemi shpërndarë një njoftim ditën e sotme ku theksojmë se të vepruarit shpejt për të ndryshuar mënyrën e sjelljes të të gjithë qytetarëve për të zvogëluar kontaktin dhe transmetimin e virusit ka rezultuar një veprim i efektshëm në vendet e tjera për të ngadalësuar transmetimin dhe ulur kurbën e epidemisë. Kjo masë ka efekte pozitive për të shmangur mbingarkesën e sistemit shëndetësor”, deklaroi Williams.

“OKB përsërit thirrjen e saj për të gjithë qytetarët në Shqipëri që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, veçanërisht për të qëndruar në shtëpi dhe thirrjen e numrit të emergjencës mjekësore 127 në rast të ndonjë simptome apo edhe ndonjë dyshimi të simptomave dhe nxit autoritetet që të kryejnë testime në masën më të gjerë që është e mundshme në mënyrë që të identifikohet më mirë shpërndarja e virusit për të mundësuar një reagim të zgjuar”, shtoi Williams. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos