
“Të guxojë kush dhe t’i japë territor Serbisë”. Paralajmërimi është bërë nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duke komentuar idenë e shkëmbimit të territoreve.
Shefi i qeverisë së Prishtinës shtoi më tej se kushdo që shkel kushtetutën duke u marrë me këtë çështje, jo vetëm që do të shkarkohet, por edhe do të burgoset. Ndër të tjera ai pranoi se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar pezullimin e taksës 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Për këtë temë, ai paralajmëroi se kjo taksë nuk do të hiqet për disa vite. “Beogradi do të zvarrisë procesin e pajtimit mes dy vendeve deri në vitin 2022, pasi atëherë ka aplikimin për anëtarësim në BE. Prandaj dhe taksa do qëndrojë në fuqi deri në vitin 2022”, u shpreh shefi i qeverisë së Prishtinës.
Më tej, Haradinaj nënvizoi se respekton Uashingtonin, por fillimisht do të shikojë interesin e Kosovës. (A2 Televizion)