
Një tjetër person i prekur me koronavirus ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku qëndronte i shtruar.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se personi që ka humbur luftën me virusin është shtetasi 60-vjeçar me inicialet R.K., nga Tirana, i cili ishte i shtruar në reanimacion prej dy javësh në spitalin “Shefqet Ndroqi” në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Ai vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese (Diabet Melitus, Kardiopatia Hipertensive, Nefropatia Diabetike, Obezitet).
Pavarësisht trajtimit të bërë nga stafi mjekësor, asistencës të ventilimit mekanik të respiracionit dhe mjekimit intensiv, 60-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
Deri tani 28 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me COVID19, pavarësisht punës së madhe të stafeve mjekësore të spitaleve COVID.
Ndërkohë, në total janë 712 persona të prekur, nga të cilët më shumë se 400 kanë arritur të shërohen. (A2 Televizion)