PD në Vlorë: Po shkulen palmat për të ndërtuar një karburant

Nga A2 CNN
26 Prill 2020, 09:09 | Aktualitet
PD në Vlorë: Po shkulen palmat për të ndërtuar një

Partia Demokratike në Vlorë ka denoncuar ndërhyrjet që po bëhen në Lungomare, ku janë shkulur edhe palmat, për të ndërtuar një karburant.

“Shkulja e palmave dhe vendosja e mjeteve dhe punonjësve të institucioneve të shtetit në shërbim të këtij ndërtimi privat është një akt keqpërdorimi i pushtetit. Qytetarët e Vlorës shohin me dëshpërim krimin mjedisor dhe urbanistik që po ndodh në Lungomare! Shohin si shkulen palma për të ndërtuar një pikë karburanti”, shkruhet në reagim.

Më tej, dega e PD-së në këtë qytet reagon duke thënë se “për të ndërtuar Lungomaren u prishën banesa dhe biznese të qytetarëve vlonjat, por, për klientët e Ramës, prishet Lungomare!”

“Kur qytetarët janë të detyruar të mbyllen në shtëpi dhe të dëgjojnë koncertet e DJ Lelit, jashtë zotëron padrejtësia, jashtë dikush vendos “Fijen e Barit”, dikush ndërton karburant, një tjetër pikë betoni në buzë të detit, e të tjera vepra abuzive. Partia Demokratike, Vlorë, i bën thirrje kryeministrit që të rishikojë vendimin e dhënë, pasi ai bie ndesh me planin urbanistik, ligjet në fuqi, fjalën e tij të dhënë, dhe mbi të gjitha, me interesat e qytetarëve të Vlorës. Nuk është ligjore, qytetare, njerëzore e morale që të bësh kundra një qytet të tërë për një pikë karburanti! Vetëm një njeri arrogant dhe i sëmurë për pushtetin e tij personal si Rama mund ta bëjë këtë!

Partia Demokratike Vlorë, iu bën thirrje qytetarëve që të reagojnë fuqishëm për të mos e lejuar një masakër të tillë”, thuhet në reagim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos