Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare Nick Bollettieri, njeriu që për gjysmëshekulli jo vetëm ka stërvitur, por praktikisht ka krijuar yjet më të mëdhenj të tenisit botëror.
I lindur në vitin 1931 nga emigrantë italianë, Bollettieri nuk ka qenë kurrë lojtar pjesë e elitës së tenisit, por ka revolucionuar mënyrën e trajnimit të këtij sporti, krahas një nuhatjeje mbresëlënëse për talentet e reja.
Karrierën e filloi në Portoricon e viteve ‘70, por pesha e tij në tenisin ndërkombëtar erdhi me krijimin e Akademisë së tij legjendare në Bradenton të Floridës, në 1978, dhe që nga ai moment u shndërrua në pikësynimin për çdo të ri që dëshironte profesionizmin dhe të ngjitej në renditje.












Në strukturën prej 600 hektarësh dhe 50 fusha tenisi, Bollettieri ka rritur emra si Andre Agassi, Boris Becker, Jim Courier, Pete Sampras, Marina Hingis, motrat Williams, Monika Seles dhe Maria Sharapova, dhe së fundimi Jelena Jankovic. (A2 Televizion)