
Kryeministri Edi Rama, në një takim me drejtues të Policisë së Shtetit, u shpreh se është e papranueshme “që policia të shpenzojë kohë për një avlli në fshat, kur para syve të saj mbushen me beton pjesët më të bukura të vendit”.
“Kostot e ndërtimeve abuzive janë marramendëse për shtetin shqiptar dhe qytetarët nuk kanë arsye të paguajnë miliona për ato kosto. Parametrat e sigurisë rrugore dhe garantimi i pacenueshmërisë së territorit nga ndërtuesit pa leje duhet të jenë prioritet i palëvizshëm për çdo drejtues të ri të policisë. Është e pagëlltitshme që policia të shpenzojë kohë për një avlli në fshat, kur para syve të saj mbushen me beton pjesët më të bukura të vendit”, tha Rama.
Kryeministri shtoi: “Është krim të ndërtosh pa leje, është njësoj si çdo krim tjetër. Dhe këto skena krimi zhvillohen në sytë e policëve, që kanë detyrimin ligjor që të veprojnë menjëherë. Kjo ka një emër: korrupsion. Ryshfet, bakshish, poshtërsi, neveri, shëmti…”.
Problem tjetër në Policinë e Shtetit, sipas Ramës, është mosnjohja e ligjit: “Ligjin duhet ta njohë çdo polic, në çdo cep të territorit. Policia duhet të jetë një vatër dije për praktikat e teknologjisë, për praktikat administrative dhe për sjelljen. Që kjo vatër dijeje të funksionojë, duhen trajnime në vazhdim, për të gjithë”. (A2 Televizion)