
Formacioni fitues nuk ndryshon. As prej lodhjes së fundit të sezonit, apo kalendarit të ngjeshur të ndeshjeve. Këtë parim trajneri Sylvinho pritet ta zbatojë edhe në sfidën e sotme në Ishujt Faroe, ku do të hedhë në fushë të njëjtën skuadër që shkëlqeu dhe fitoi me dominim përballë Moldavisë.
Në portë do të qëndrojë Berisha, teksa përpos titullarë vetë padiskutueshëm Gjimshiti, Ismajli dhe Hysaj, në krahun e majtë konfirmohet Mario Mitaj, i cili shkëlqeu të shtunën në Arenën Kombëtare.
Në mesfushë, Ramadani dhe Bare do të kenë detyrën e organizimit të lojës, por edhe të dueleve me kundërshtarët në ndihmë të repartit difensiv. Manovra sulmuese do të udhëhiqet nga klasi i Nedim Bajramit,që me Asanin dhe Uzunin nga krahët do të jenë në mbështetje te Sokol Cikalleshit.
Asllani, Seferi, por edhe elementë si Muçi e Qazim Laçijanë alternativa të mira për trajnerin, pasi garantojnë kualitet dhe muskuj, përballë një kundërshtari që njihet për lojën fizike. Në këtë mënyrë Shqipëria kërkon të largohet me pikët e plota nga stadiumi Torsvollur në Torshavn. (A2 Televizion)