Ndeshjet e Europës, Partizani shpreson për Alban Hoxhën, përgatitjet vijojnë

Nga A2 CNN
5 Korrik 2022, 10:48 | Futboll
Ndeshjet e Europës, Partizani shpreson për Alban Hoxhën,

Partizani luan këtë të enjte duelin e parë të Conference League përballë gjeorgjianëve të Saburtalos. Të kuqtë e Dritan Mehmetit vijojnë përgatitjet në kryeqytetet dhe siç raportohet gjendja e lojtarëve është e mirë.

I vetmi dyshim për teknikun e kuq është Alban Hoxha. Gardiani i Portës ka 5 ditë që nuk është stërvitur me klubin për shkak të një dëmtimi muskular. Shtatlarti gjendet në kujdesin e stafit mjekësor dhe me shumë gjasa do të mungojë në transfertë.

Megjithatë, të kuqtë kanë gati dhe zëvendësuesin e tij, portieri i ardhur këtë verë Bekim Rexhepi. Ish-gardiani i Skënderbeut është një lojtar i ri dhe premtues për të ardhmen për këtë arsye dhe pritshmëritë janë të mëdha.

Ndërkaq dhe Xhuliano Skuka pësoi një dëmtim në seancën e fundit stërvitore, por burime pranë klubit tregojnë se futbollisti nuk ka asgjë serioze. Ai ka zhvilluar stërvitjen deri në fund së bashku me grupin dhe është gati për ndeshjen e së enjtes.

Skuadra do të niset drejt Gjeorgjisë një ditë përpara ndeshjes edhe pse udhëtimi do të jetë rreth 7 orë dhe mund të ndikojë jo pak në gjendjen fizike të lojtarëve. Partizani luan ndaj Saburtalos në datën 7 korrik në Gori të Gjeorgjisë, ndërsa një javë më vonë kryeqytetasit i presin në Tiranë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos