
“Është e turpshme dhe e pashpjegueshme që qeveria britanike nuk e ka publikuar ende raportin mbi ndërhyrjen e pretenduar të Rusisë në politikën britanike”.
Reagimi i fortë vjen nga ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në një intervistë për BBC.
Dëshmitarë të ndryshëm kanë pohuar për Komisionin për Inteligjencën dhe Sigurinë se ndikimi i Moskës ka depërtuar deri në nivelet më të larta të politikës në Londër, por raporti zyrtar nuk do të bëhet publik deri pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.
Hillary Clinton tha: “Më çudit shumë fakti që kjo qeveri nuk po e publikon raportin për ndikimin rus. Çdo person që voton në këtë vend duhet ta shohë raportin para se të mbahen zgjedhjet”.
Clinton shtoi se Shtetet e bashkuara kishin pasur një problem të ngjashëm në zgjedhjet e vitit 2016, kur ajo u mund nga kandidati republikan për presidencën, Donald Trump. Raporti analizon aktivitetin rus në demokracinë e Britanisë së Madhe. Aty përfshihen pretendime për spiunazh, shkelje të autoritetit insititucional dhe ndërhyrje në zgjedhje.
Në përmbajtje të raportit janë gjithashtu prova nga shërbimet britanike të inteligjencës, lidhur me përpjekjet e Moskës për të ndikuar në referendumin për Brexit në vitin 2016 dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Ai u finalizua në muajin mars dhe iu dorëzua Downing Street në 17 tetor. Por, aprovimi për publikimin e tij nuk është dhënë ende dhe nuk pritet të ndodhë deri pas zgjedhjeve. (A2 Televizion)