
Matura shtetërore do të pësojë ndryshime të mëdha. Reforma nuk do të prekë maturantët e këtij, viti, ndërsa pas një muaji do të jetë gati drafti me propozimet se si duhet te jetë ky proces.
Zv ministrja e arsimit Nina Guga njëherësh kryetare e grupit të punës për Maturën Shtetërore tregon për A2 CNN disa nga propozimet për ndryshimet që do të pësojë ky proces. Matura mund të jetë vetëm provim mbyllës i shkollës se mesme duke rikthyer konkurset për hyrjen në Universitete, po shqyrtohen numri i lëndëve që do të jepen provim në mature si dhe mënyra e hartimit të testeve.
Pas një procesi konsultimi dhe diskutimi, ndryshimet përfundimtare parashikohet të zbatohen në maturën 2024. Ndërsa për këtë vit ministria synon forcimin e administrimit të provimit si dhe të rikthejë mësuesit hartues për tezat e maturës shtetërore.
Që pas vendosjes në 2006, matura shtetërore ka pësuar ndryshime në vite duke u shoqëruar edhe nga kritika e akuza për keqadministrim të provimeve, fiktivitet të lartë notash, për teste jashtë programit mësimor dhe për eksperimentim të vazhdueshëm ndaj nxënësve. Me reformën e re do të shihen edhe ndryshimet e mëdha që do të pësojë ky proces. (A2 Televizion)