
Me vonesë, por reagimi erdhi. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, komentoi deklaratën e përfaqësuesit special të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, se kushtetuta duhet të ndryshohet për të zbatuar Asociacionin e Komunave Serbe, duke siguruar se nuk do të preket karakteri unitar i shtetit. Shefi i qeverisë nuk u përgjigj drejtpërdrejtë nëse do të ketë ose jo ndryshime kushtetuese, por pohoi se pika e parë e marrëveshjes Prishtinë-Beograd do të jetë njohja reciproke.
“Nuk preket karakteri unitar i Kosovës dhe marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse obligative që i adreson të gjitha çështjet në mes dy vendeve me pikën e parë drejt njohjes reciproke. Ne jemi në proces të dialogut dhe unë jam i kënaqur me progresin që është bërë deri më tani, parimet që jemi duke mbajtur të cilët po respektohen nga partnerët tanë ndërkombëtar edhe nga ndërmjetësi i dialogut”, tha Hoti.
Hoti komentoi dhe një nga pikat e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, që ka të bëjë me studimin e fizibilitetit për liqenin e Ujmanit.
“Një ekip i ekspertëve të departamentit amerikan është në Kosovë, në Prishtinë janë duke i studiuar të gjitha modalitetet e nevojshme për të kryer këtë studim të fizibilitetit”.
Këto komente, kryeministri i Kosovës i bëri gjatë një vizite në Klinë. Ndërkohë, aktualisht procesi i dialogut, të ndërmjetësuar nga BE, është stopuar për shkak të çështjes së Asociacionit të Komunave Serbe. Serbia kërkon ridiskutimin e marrëveshjes në Bruksel, ndërsa Kosova e konsideron temë të mbyllur. (A2 Televizion)