
Tatimi mbi të ardhurat personale dhe ndryshimi që do të pësojnë në 1 korrik sipas fashës së pagave është diskutuar në e A2 Business me drejtorin e politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera, ish-zv.ministrin e Financave, Elton Harxhi, sekretarin e përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, ish-zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Flobenc Dilaveri dhe ish-zëvendësdrejtoreshën e përgjithshme të Tatimeve, Elisabeta Katiaj.
Në këndvështrimin e kësaj të fundit taksa progresive komplikon të ardhurat individuale, kurse rritja e pagës minimale është pikënisje për luftën ndaj informalitetit të pagave.
“Taksa progresive komplikon të ardhurat individuale, por rritja e pagës minimale nuk përbën dëm në treg por është pikënisje për luftën ndaj informalitetit të pagave. Biznesi e di mirë koston që ka për personelin dhe pagat janë rritur në treg. Në këto kushte rritja e pagës minimale formalizon sektorin privat. Të heqësh gjithë stresin dhe aktet korruptive, formalizmi 5 mijë euro në vit është kosto e ulët. Drejtësia nuk ekziston. Duke qenë individ i punësuar kam një tatim prej 23 %. Që këtu kjo politikë ka një mosrakordim dhe mosunifikim i të ardhurës personale të individit”.
Për sekretarin e përgjithshëm të Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra taksa progresive është e padrejtë dhe e pandershme.
“Përmendët terminologjinë kush fiton më shumë paguan më shumë. Të ardhurat nga paga janë nga puna, ndërkohë që fitimi është i zbritjes nga shpenzimet, ne nuk heqim shpenzimet e aktivitetit jetësor të tyre dhe këtu ka një gjë që duhet parë. Është i padrejtë, se kemi individë që paguajnë më shumë se një individ tjetër që krijon fitim me një biznes të vogël me të njëjta të ardhura. Nuk është fare e ndershme”.
Drejtori i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera thekson se qeveria mori vendimin për ta ndryshuar në korrik në mënyrë që të lehtësojë biznesin e vogël.
“Askush në këtë vend nuk paguan 23%, që të paguash këtë duhet të paguash 400 mijë dollarë në muaj. Merret në konsideratë norma efektive. Nëse taksa e sheshtë gjatë vite 2005-2010-2012 dha impakt në ekonomi pastaj stopoi rritjen e të ardhurave në buxhet. Kjo qeveri mori vendim ta lehtësonte biznesin e vogël. Mbase nuk është e ndershme por ajo që do bëjmë është të selektojmë subjekte profesionet e lira. Ne do zgjedhim skemën e nevojshme. Ka edhe biznese që është mirë që janë jashtë taksave”.
Por Shkodra këmbëguli që të gjithë tatimpaguesit duhet të paguajnë taksa.
“Janë hequr përjashtimet për prodhuesit vendas të cilët duhet t’i mbani nuk mund të bësh një gjë të tillë me përjashtimet. Të gjithë tatimpaguesit duhet të paguajnë taksa. Pastaj ju si Ministri e Financave duhet të bëni studim të strukturës ekonomike ose mekanizmin e kthimit të taksës në fund të vitit ose subvencione ne po kuturojmë një popull që të mos paguajë kurrë taksa. Ato 3200 biznese janë krijuar për ti shpëtuar taksave dhe gjithë barrën e kemi ne bizneset e mëdha. Duhet të shkojë te konsumatori jo të bllokohet”.
Ndryshimi i taksës progresive për ish-zv.ministrin Haxhi ishte kryekëput elektoral për të marrë vota, por ai thekson se vendi ynë paguan shumë më pak taksa për punësimin se çdo vend tjetër i rajonit përjashto Kosovën.
“Kryekëput elektorale, nuk shkon me asnjë strategji, politikë, apo vizion të kësaj qeverisjeje dhe u ndërmor para një fushate zgjedhore për të përjashtuar dhe ka qenë llogari numrash sa vota më sjelle dhe sa kosto më shkakton në buxhet. Kostoja apo përfitimi nuk është e rëndësishme po të ndjekim disa parime. Shtrije këtë taksë progresive te të gjithë. Nuk mund të lësh pjesën tjetër pa tatim. Një taksim i thjeshtë mbi xhiron. Nuk është e vërtetë që Shqipëria e takson punësimin më shumë se rajoni. Punësimi në Shqipëri paguan më pak se çdo vend tjetër i rajonit përveç Kosovës, por sigurimet shoqërore janë një barrë e rëndë dhe Shqipëria subvencionon me të ardhurat”. Për Dilaverin nismat fiskale janë “iniciuar nga kryeministri më parë se financierët”. (A2 Televizion)