Ndryshimi i tregut të përbashkët rajonal dhe Ballkanit të Hapur, Bregu e sqaron në A2 CNN

Nga A2 CNN
18 Mars 2022, 21:47 | Politikë
Ndryshimi i tregut të përbashkët rajonal dhe Ballkanit të

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, në “Intervistë me Merita Haklaj”, ndër të tjera, foli edhe për ndryshimin mes tregut të përbashkët rajonal dhe Ballkanit të Hapur.

“Tregu i përbashkët rajonal vjen nga procesi i Berlinit, i cili është vendimmarrje e të 6 vendeve të rajonit, të cilët kanë përcaktuar një plan masash sesi ata e shohin të mundur bashkëpunimin mes njëri-tjetrit. Agjendat nuk janë të ndryshme. Nuk ka asgjë për të krijuar kundërshti. Nuk flitet për dy projekte armiqësore. Është një iniciativë për të ecur përpara.

Ndarja e rajonit në tregje shumë të vogla, nga 6 në 3, i krijon më pak mundësi zhvillimi rajonit tonë. Një firmë e madhe, një kompani e huaj, e cila për shkak të krizës mund të jetë duke u larguar siç janë informacionet e para që po marrim edhe nga Ukraina, por edhe më parë, e cila vjen të investojë në rajon dhe ka nevojë për një treg apo shumë punëtorë, është shumë e vështirë t’i gjesh këto sot në një apo dy, tre vende.

Argumenti tjetër se çfarë i jep më tepër peshë tregut të përbashkët rajonal: Ky është një proces politik që nisi me procesin e Berlinit, një proces për të dhënë mundësi që zhvillimi ekonomik i vendeve tona, fuqizimi i biznesit, partneriteti i biznesmenëve me njëri-tjetrin të bëhet pengesë për të rikthyer konflikt të mundshëm siç ishte lufta para shumë vitesh. Me të njëjtin model që u ngrit edhe BE, i cili nuk nisi si bashkim politik, por nga nevojat që kishin vendet për produkte të ndryshme. Kjo është rëndësia e tregut të përbashkët rajonal. Të mos ndahemi se bëhemi edhe më të vegjël”, tha Bregu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos