Ndryshon data e derbit Tirana-Partizani

Nga A2 CNN
9 Maj 2023, 10:26 | Futboll
Ndryshon data e derbit Tirana-Partizani

Spostimi i ndeshjeve të kampionatit për shkak të zgjedhjeve vendore nuk ka mjaftuar. Derbi Tirana-Partizani i vlefshëm për javën e 33 të Superiores ndryshoi sërish nga kalendari i publikuar prej federatës vetëm pak ditë më parë.

Fillimisht, ishte programuar që supersfida e kryeqytetit, e cila do të shërbejë edhe si ndeshja vendimtare për titullin të luhej më 17 maj, në të njëjtën ditë me përballjet e tjera. Gjithsesi, së fundmi sektori i garave vendosi që përballja të afrohet me një ditë.

Tirana dhe Partizani do të zbresin në fushën e Arenës Kombëtare më 16 maj, me ndeshjen që do të nisë në orën 18:30. Kjo bëhet me qëllim që e gjithë vëmendja të jetë e përqendruar te sfida ndërmjet kryesuesve dhe ndjekësve të tyre më të afërt.

Me humbjen e Tiranës në Durrës dhe fitoren e Partizanit përballë Kukësit në javën e 32, kampionati është më i hapur se asnjëherë. Bardheblutë kanë vetëm 2 pikë avantazh nga demat. Me një fitore të ekipit të Shehit gara do të përfundonte, por Tiranës do t’i vlente edhe barazimi.

Në anën tjetër, Partizani ka shansin që me një fitore në derbi t’i parakalojë rivalët në renditje dhe të hedhë një hap të rëndësishëm drejt titullit.

Një pjesë e rëndësishme e kampionatit do të luhet më 16 maj. Kjo është arsyeja përse derbi e meriton të jetë një ndeshje që luhet veçantë nga të tjerat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos