“Në Afganistan fitoi heroina”

Nga A2 CNN
23 Gusht 2021, 14:30 | Bota

Gazetari dhe shkrimtari Roberto Saviano përpiqet të japë një këndvështrim tjetër të asaj që po ndodh gjatë këtyre ditëve të fundit në Afganistan, ku një krizë e vërtetë humanitare po përshkallëzohet pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’u larguar nga vendi.

“Të gjithë ata që kanë komentuar mbi këtë çështje nuk kanë folur për temën kryesore. Talebanët, para se të jenë forca guerile, para se të jenë studentë të Kuranit, janë narkotrafikantë. 90% e heroinës botërore administrohet nga Talebanët. Ata furnizojnë me heroinë Costa Nostra-n, Camorra-n, ‘Ndrangheta-n, kartelet ruse, organizatat afrikano-jugore dhe të gjithë organizatat kriminale amerikane”, thotë Saviano në një intervistë për “Corriere”. “Përveç karteleve meksikane që e kultivojnë opiumin në vendin tyre, por edhe ata janë thuajse gjithmonë të shtypur nga çmimi tepër i favorshëm i heroinës afgane”.

Sipas tij, Talebanët shesin edhe opium, te kompani indiane, të cilat ia rishesin më pas kompanive farmaceutike botërore, me të cilat prodhohen ilaçe si morfina. “Pra i detyrohemi Talebanëve edhe për ilaçet që na duhen kur operohemi dhe jemi nën anestezi”.

Saviano bën edhe një krahasim shifrash, mes investimit amerikan në vendin aziatik dhe të ardhurave që fitojnë ekstremistët nga tregtia e heroinës. “SHBA ka investuar për të ndërtuar një ushtri në Afganistan rreth 80 miliardë dollarë. Në të njëjtën periudhë, Talebanët kanë fituar nga shitja e heroinës rreth 120-160 miliardë dollarë. Heroina është fuqia e tyre, një fuqi që në vite ia kanë marrin “trekëndëshit të artë” Birmani-Tajlandë-Laos, që furnizonte botën me heroinë në vitet 1970”.

Sot, Afganistani është zyrtarisht një narkoshtet, thotë Saviano. “Ka qenë gjithmonë i tillë, por sot bëhet në mënyrë formale. Dhe është një vend i nënshtruar nga epidemia e heroinës, pasi brezat e rinj të Talebanëve lejojnë tregtimin e kësaj droge edhe brenda kufijve. Armiqtë e ardhshëm të Talebanëve do të jenë iranianët, të cilët duan të kontrollojnë fluksin e opiumit që u vjen nga Afganistani”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos