
Së shpejti në brigjet shqiptare më të frekuentuara do të vendoset një Post Kufitare e lëvizshme, në funksion të nxitjes së turizmit nautik.
Një lehtësi për të gjithë mjetet lundruese të huaja që dëshirojnë të mbërrijnë në territorin tonë, por edhe për ata shqiptarë që kanë mundësi të dalin në ujërat e Mesdheut. Lajmin e bëri të ditur ministri Bledi Çuçi, që shpjegoi dinamikën.
“Ne do të vendosim në brigjet shqiptare një Post Kufitare Lëvizëse në mënyrë që çdo mjet lundrues që do të hyjë në Shqipëri nuk ka nevojë të shkojë në një nga 3 portet kufitare që ka Shqipëria, por mjafton të lajmërojë në pikën ku është dhe do të vijë vetë mjeti i kufirit për të kryer të gjithë procedurat e hyrjes në territorin e Shqipërisë”, ishin fjalët e tij në Durrës, ku ishte i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të 5 varkave të reja të patrullimit dhe 2 radarëve me teknologji të lartë për ruajtjen e kufirit detar, të financuara nga Bashkimi Europian përmes programit IPA.
Lidhur me donacionet e fundit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, u shpreh se këto mjete të reja e të përbashkëta janë në shërbim të betejave të përbashkëta për sigurinë e kufijve tanë dhe të BE-së. (A2 Televizion)