
Ish-ministri Lefter Koka provon më 17 maj në Gjykatën e Posaçme të Apelit të kërkojë lirinë. Apeli caktoi këtë datë për seancën gjyqësore ku do të shqyrtojë kërkesën për liri nga masa e "arrestit në burg" të ish-ministrit të mjedisit të akuzuar për "korrupsion", "shpërdorim të detyrës" dhe "pastrim të parave" lidhur me inceneratorin e Fierit.
Së bashku me të Apeli do të shqyrtojë kërkesat për zbutje të masës së sigurisë të dhënë nga Gjykata e Posaçme edhe 4 te dyshuar të tjerë të dosjes.
Sipas shortit elektronik, ankimi i të akuzuarve për çështjen e inceneratorit të Fierit do të shqyrtohet nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi.
Përveç masës "arrest në burg" për rastin e Fierit, ish-ministri Koka ka edhe një tjetër masë sigurie "arrest në burg" për llogari të hetimit për inceneratorin e Elbasanit, masë që është lënë në fuqi edhe nga Apeli e Gjykata e Lartë. (A2 Televizion)