
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste i hapën rrugë në Këshillin e Mandateve autorizimit të SPAK për kontrollin e banesës dhe arrestimin e Ahmetajt. Të hënën në orën 17:00 do të mbahet seanca e posaçme për t’i dhënë autorizimin SPAK për arrestimin e ish-ministrit Arben Ahmetaj. Pas mbledhjes kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi foli për emra të tjerë të përfshirë në këtë aferë, duke theksuar se kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.
“Disa nga emrat janë bërë publike sikundër disa të emra të tjerë janë të kallëzuar prej nesh. Në këtë aferë përmendet ish-ministri Damian Gjiknuri, ish-ministrja Ermonela Felaj, ka të dhëna për 2 ish- kryetarë bashkie, sot deputetë, Fadil Nasufi dhe Baftjar Zeqo, përmendet sekretari i përgjithshëm i këhsillit të ministrave Engjëll Agaçi. E gjithë kjo organizatë kriminale, dhe një nga çështjet që kemi ngritur është pse po veçohen çështjet nga SPAK, se duket qartë që ka një qëllim që kjo veprimtari të mos trajtohet si grup i strukturuar kriminal. Kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal dhe koka e tij është Edi Rama”.
Edhe deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji pas mbledhjes së Këshillit të Mandatave u shpreh se në dosjen që po heton prokuroria për Arben Ahmetajn ka edhe emra të tjerë të zyrtarëve socialistë.
Ndërkohë Bardhi i kërkoi Ahmetajt që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, pavarësisht premtimit të marrë edhe nga avokatët për kthimin e tij në Shqipëri dhe deklaroi se nuk do të ketë mëshirë për ata që abuzojnë me detyrën.
“Avokatët bënë politikë dhe kërkuan mëshirë. Përgjigjja jonë ishte se mëshirë për ata që abuzojnë me detyrën e shpërdorojnë besimin e qytetarëve dhe nga të pastrehë bëhen me vila nga veprimtari korruptive, s’ka për të pasur kurrë nga deputetë të opozitës. Avokatët nuk e deklaruan vendndodhjen e Ahmetaj, por pohuan që kanë komunikuar dhe premtuan që Ahmetaj do të kthehet. Ahmetaj sot duhet të ishte në mbledhje dhe në dispozicion të drejtësisë. Një lutje për personin nën hetim të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Kjo aferë duhet të zbardhet e plotë dhe Ahmetaj t’i bëjë një shërbim qytetarëve që i dhanë besim. Akuza është për korrupsion pasiv. Jam i bindur që Prokuroria do e vazhdojë hetimin qoftë për episode të tjera apo zyrtarë apo ish zyrtarë. Kam besim të plotë, dua të besoj që SPAK do e përmbushë pritshmërinë. Ky akt për zv.kryeministrin është vetëm 1 e dhënë, kemi nevojë për luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Kemi për të krijuar një grup të ri në 313 apo paraburgimin e Durrësit”, tha Bardhi. (A2 Televizion)