Në Elbasan mungon sinjalistika, shefi i Rrugores: Po rrezikohet jeta e njerëzve

Nga A2 CNN
10 Shkurt 2020, 13:43 | Kronikë
Në Elbasan mungon sinjalistika, shefi i Rrugores: Po rrezikohet jeta e

Një pjesë e konsiderueshme e rrugëve në qarkun e Elbasanit janë në gjendje të rënduar në segmente të caktuara. Mungesa e fondeve për mirëmbajtje është një nga shkaqet që e kanë çuar infrastrukturën rrugore në këtë gjendje.

“Pika më e keqe është ajo në bashkinë e Peqinit. Edhe pse është shembur tre çereku i rrugës, nuk është marrë asnjë masë dhe nuk na është kthyer asnjë përgjigje. Problem kudo janë investimet, por bashkia mund t’i gjejë 5 trafikndarës për të kursyer jetë njerëzish”, shprehet Kreshnik Skëndo, shefi i qarkullimit rrugor, qarku Elbasan.

Rruga që lidh Bashkinë e Peqinit me atë të Belshit dhe disa fshatra të tjerë ka pësuar shembje. “Kjo nuk është rrugë. Janë tallur me këtë. Është shumë e rrezikshme”, shprehen banorët.

Edhe aksi Peqin-Elbasan ka mjaft pika të rrezikshme, ku veçohet ajo në afërsi të Paprit, ku kanë ndodhur më shumë aksidente me pasoja fatale.

“Kanë ndodhur 3 aksidente me 6 viktima. Ajo do patjetër një riveshje të asfaltit dhe sinjalistikë”, thotë shefi i qarkullimit rrugor.

Shefi i qarkullimit rrugor për Elbasanin ka kërkuar më shumë bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit lokal dhe firmat që kanë fituar të drejtën për të mirëmbajtur akset rrugore dhe mos të mbeten peng i shkresave burokratike. “Duhet të kemi kontakt patjetër. Në rast emergjencash nuk pret koha për shkresa zyrtare”, theksoi Skëndo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos