
Ndryshimi i Kodit Penal, ku ndalohen protestat pa leje, kundërshtohet nga gjyqësori. Gjykata e Apelit në Shkodër, që po shqyrton çështjen që lidhet me tubimet e paligjshme, e quan antikushtetues konsiderimin vepër penale të protestave që organizohen pa leje.
Gjykata Kushtetuese me 4 anëtarë është ende e paaftë për vendim, por ajo konfirmon se po shqyrton ankimimin, ku kërkohet shufiqizmi në Kod i shprehjes: “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta”.
Në nenin 262 të Kodit Penal thuhet se “organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent, sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.”
Më herët, për të protestuar mjaftonte njoftimi i policisë. Por, gjatë protestave të opozitës vitin që shkoi, policia tentoi disa herë t’i ndalonte ato duke mos dhënë leje. Qeveria paralajmëroi forcimin e dispozitave ndëshkuese në Kodin Penal për ndalimin e tubimeve për të cilat nuk jepet leje. (A2 Televizion)