
“FemFest” lindi si një thirrje artistike për të dhënë mesazhe dhe për të frymëzuar gratë dhe vajzat për forcën e tyre. Këtë muaj, u shkrua edhe kjo këngë, në emër të një 8 marsi që jehonte për gratë dhe vajzat shqiptare që kanë zgjedhur të punojnë për një vend më të mirë.
U konceptua si një thirrje jo vetëm marshime të shoqëruara me instalacione, por edhe si pjesë e teatrit, përmes dramave të vëna në skenë për më shumë se 4 ditë, ekspozitave e sfilatave. Kjo përpjekje artistike për t’i dhënë zë grave dhe vajzave përtej të gjithë kontureve me të cilat kanë lindur apo kanë zgjedhur të jetojnë ka marrë jetë në kryeqytet.
Shumë prej këtyre eventeve morën jetë në skenën teatrale, pranë Arturbinës. Po aty, në hollin e një teatri gjejmë ekspozitën, por edhe sfilatën. Gjejmë vajza me ëndrra dhe dëshira, por më shumë gjejmë forcën për të ecur përpara.
Fllanza Murra është një prej tyre. Ajo është një vajzë me ëndrra. Nuk e kishte menduar asnjëherë që do të sfilonte, jo vetëm për shkak të linjave trupore, por edhe për shkak të lëvizjes së kushtëzuar. Megjithatë nuk rresht së ëndërruari dhe lufton për të gjetur të bukurën kudo ku shkon. Përmes përpjekjes gjen edhe gëzimin.
Këtë 8 mars ajo kishte një mesazh për të gjithë ne, duke na treguar edhe një herë përmes guximit të saj sa forcë mund të gjesh brenda një gruaje. ishte pjesë e një sfilate, ku shtatë shpirtra njerëzorë veshur në bardh e zi na përcollën mesazhet e tyre. Efekt Të gjitha veshur në konceptin e Borana Gjyzelit u duartokitën për emocionet e përcjella.
Arti është një formë proteste këtë ditë të shënuar në mbarë botën. 8 Marsi që sot konsiderohet edhe si një festë, përveç se si një thirrje për të drejta të barabarta. Është një datë e shënuar në të gjithë botën që nga viti 1910 kur gratë në Nj-Jork protestuan e më pas, në vitin 1917, kur mori nota festive nga gratë në Rusinë Sovjetike kur siguruan të drejtën e votës.
Në sheshin “Skënderbej” gjejmë edhe instalacionin që diplomatët kanë vendosur ta quajnë “këpucët e kuqe”. Në shenjë nderimi ndaj atyre vajzave dhe grave që kanë humbur jetën apo kanë vuajtur për shkak të dhunimit, xhelozisë e shkaqeve të tjera familjare. Ky instalacion i krijuar vetëm për to ka manifestuar mesazhet kundër dhunës gjinore. (A2 Televizion)