
Pesëmbëdhjetë kilometra nga Gjirokastra, ndodhet fshati Gjat, në njësinë administrative të Lunxhërisë. Por për të vajtur deri atje nuk është e lehtë.
Rruga që të çon ngjason më shumë me një shteg bagëtish, ndërsa këtë rrugë duhet ta përdorin më shumë se 45 familje të këtij fshati në të mirë e në të keqe. Edhe kushtet brenda fshatit lënë shumë për të dëshiruar, që nga infrastruktura, ndriçimi publik e deri te furnizimi me ujë.
“Nuk pyet njeri për ne se rrojmë a se vdesim. U prish njëherë pompa, nuk erdhi më asnjeri për ta rregulluar. Ne e paguajmë ujin, nuk e duam pa para”, thonë disa të moshuar.
Nuk është e vështirë të kuptohet që dora e shtetit në këtë vend nuk ekziston edhe pse kërkesat e banorëve janë minimaliste dhe bazike për jetën, askush nuk është kujtuar për këta njerëz të cilët si gjithë të tjerët paguajnë fatura dhe taksa për shërbimet që nuk i marrin. (A2 Televizion)