
Për ambasadoren amerikane në vendin tonë e vetmja mënyrë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin është pavarësia e institucioneve. Në mbledhjen e donatorëve të Ministrisë së Brendshme, Yuri Kim, tha se gjyqësori, prokuroria, policia apo dhe politikanët duhet t’i rezistojnë efekteve gërryese të korrupsionit, ndërsa shtoi se shqiptarët kanë një rol të madh në trafikun e drogës dhe krimit të organizuar.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim tha se shqiptarët vijojnë të kenë një rol të madh në trafikun e drogave të forta dhe krimin e organizuar. Duke cituar raporte ndërkombëtare në mbledhjen e donatorëve të Ministrisë së brendshme, ambasadorja tha se në të gjithë rajonin trafikohen rreth 60 tonë droga të forta, ndërsa problem mbetet edhe trafiku i qenieve njerëzore.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se në përballje me krimin e organizuar shumë shpejt policia e shtetit do të ristrukturojë dhe drejtorinë e hetimit të krimeve.
Ambasadori i Bashkimit Evropian u shpreh se Shqipëria nuk duhet të ndalë përpjekjet e saj në luftën kundër pastrimit të parave.
Vëmendje do t’ i kushtohet dhe krimit kibernetik, por edhe uljes së numrit të aksidenteve.
Në 9 muaj janë sekuestruar mbi 18 milionë euro asete kriminale tha Çuçi, ndërsa shtoi se buxheti 2022 për Ministrinë e Brendshme është 4 % më i lartë, ku pikërisht mbështetja më e madhe do të jetë për sigurinë rrugore dhe luftën ndaj krimit të organizuar. (A2 Televizion)