A do të rikthehet normaliteti në Hormuz? “Mesazhet kontradiktore minuan besimin, dëmi do të zgjasë”

Nga Rosalba Bejdo
21 Prill 2026, 21:40 | Bota

Trafiku detar nëpër Ngushticën e Hormuzit mbetet pothuajse i paralizuar, me vetëm tre kalime brenda 12 orësh, sipas të dhënave të transportit detar.

SHBA dhe Irani kishin deklaruar të premten se ngushtica ishte e hapur, pas shpalljes së një armëpushimi 10-ditor në Liban, një pikë kyçe negociuese për Teheranin në bisedimet e paqes me Uashingtonin.
Megjithatë, të shtunën Irani rivendosi kontrollin. Teherani tha se po reagonte ndaj vazhdimit të bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane, duke e cilësuar atë si shkelje të armëpushimit.

ALEXIS ELLENDER: “Ajo që pamë gjatë fundjavës ishte një njoftim fillestar nga Irani se Ngushtica e Hormuzit ishte e hapur. Natyrisht, kjo është një lajm i mirë për transportin detar. Pamë një valë anijesh që u drejtuan nga perëndimi në lindje, duke kërkuar të dalin nga ngushtica. U largua një numër i konsiderueshëm anijesh – edhe pse shumë më pak se normalisht – rreth 18 tankerë, anije mallrash të thata dhe transportues lëngjesh. Pamë gjithashtu rreth pesë anije turistike që lëvizën në grup. Këto lëvizje ndodhën kryesisht mes mesnatës dhe orëve të para të mëngjesit. Më pas erdhi një tjetër njoftim nga Irani që ngushtica nuk do të hapej dhe se bllokada amerikane vazhdonte. Ajo që vumë re më pas ishte se disa anije filluan të ktheheshin pas.”

Por a do të rikthehet ndonjëherë normaliteti në transport dhe tregti, pasi ngushtica të rihapet?

Pasi dy anije me flamur indian raportuan se u sulmuan të shtunën gjatë përpjekjes për të kaluar, të dhënat treguan se trafiku në këtë rrugë të ngushtë ujore u ndal që herët të dielën.

Një cisternë në pronësi kineze dhe një anije gazi në pronësi indiane u panë duke lëvizur drejt lindjes të dielën në mëngjes, por duket se u kthyen pas. Sipas të dhënave të MarineTraffic, asnjë mjet tjetër nuk hyri apo doli nga Gjiri pas mesnatës.

Tashmë në javën e tetë, lufta ka shkaktuar goditjen më të rëndë në furnizimin global me energji në histori, duke rritur ndjeshëm çmimet e naftës për shkak të mbylljes de facto të ngushticës, e cila para luftës përballonte një të pestën e transportit botëror të naftës.

ALEXIS ELLENDER: “Jemi ende shumë larg rikthimit në tregti normale përmes Ngushticës së Hormuzit. Ajo që e dëmtoi më shumë situatën ishte ky mesazh kontradiktor: ‘po, mund të kaloni’, dhe më pas gjithçka u ndal menjëherë. Kjo do të thotë se herën tjetër, njerëzit do të presin më gjatë përpara se të veprojnë. Nëse je i bllokuar brenda Gjirit, do të nxitosh të dalësh, siç pamë. Por për anijet që duhet të rikthehen në rajon për të ngarkuar naftë apo plehra kimike, do të ketë shumë, shumë kujdes.”

Ndërkohë, pasiguria vazhdon rreth përpjekjeve të ndërmjetësuara nga Pakistani për t’i dhënë fund konfliktit, i cili ka shkaktuar mijëra viktima që nga nisja më 28 shkurt, me sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe përhapjen e tij në Liban. Bisedimet në Islamabad, negociatat e para të drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit pas dekadash, përfunduan javën e kaluar pa marrëveshje, e një raund i ri po përgatitet përpara përfundimit të pritshëm të armëpushimit të mërkurën.

Tela me gjemba u panë pranë hotelit Serena, ku u mbajtën bisedimet, ndërsa hoteli u kërkoi klientëve të largoheshin për shkak të një aktiviteti qeveritar dhe ndaloi rezervimet deri në një njoftim të dytë.

Në qendër të Islamabadit u vu re një prani e shtuar policore dhe ushtarake, megjithëse jo në të njëjtin nivel si gjatë raundit të parë, kur delegacioni amerikan drejtohej nga nënpresidenti JD Vance. Pas rivendosjes së kontrollit nga Irani të shtunën, të paktën dy anije raportuan se u sulmuan gjatë përpjekjes për të kaluar. India thirri ambasadorin iranian në New Delhi dhe shprehu shqetësim të thellë për sulmet ndaj dy anijeve me flamur indian. Komanda Qendrore e SHBA-së tha se forcat amerikane po zbatonin një bllokadë detare ndaj Iranit, por nuk komentoi mbi veprimet e fundit iraniane.

Ky zhvillim rrit rrezikun që transporti i naftës dhe gazit përmes ngushticës të mbetet i ndërprerë, pikërisht kur presidenti Donald Trump po shqyrton nëse do ta zgjasë armëpushimin.

Në bisedimet e fundit në Islamabad, SHBA propozoi pezullimin për 20 vjet të aktivitetit bërthamor iranian, ndërsa Irani sugjeroi një ndalim 3–5-vjeçar. Zëvendësministri i jashtëm iranian, Saeed Khatibzadeh, tha se nuk është caktuar ende një datë për raundin e ardhshëm, duke theksuar se më parë duhet një kuadër mirëkuptimi. Të premten, çmimet e naftës ranë rreth 10% dhe bursat globale u rritën me shpresën për rifillimin e trafikut detar, por qindra anije dhe rreth 20 mijë marinarë mbeten të bllokuar në Gjirin Persik.

Ekspertët thonë se mund të duhen muaj para një rikthimi në normalitet.
Sipas Alexis Ellender, analist i lartë në kompaninë detare KPLER, kompanitë do të jenë jashtëzakonisht të kujdesshme për të rikthyer anijet në rajon. Ai parashikon se do të duhen muaj që trafiku të normalizohet: në muajin e parë, vetëm rreth 25% e fluksit normal e më pas një fazë “prit dhe shiko” me 30–50% të trafikut. Kjo vetëm nëse nuk ka sulme të tjera. Pas rreth një muaji e gjysmë, mund të nisë faza e normalizimit gradual.

ALEXIS ELLENDER: “Për momentin është ende hipotetike, por po flasim për muaj. Aktualisht kemi nivele shumë të ulëta trafiku, lëvizje të kontrolluara. Nëse do të kishim një armëpushim formal, mund të shihnim një rritje graduale brenda një muaji – rreth 25% e niveleve normale. Këto do të ishin kryesisht kompani të mëdha, tankerë dhe disa anije mallrash të thata. Nëse kjo vazhdon pa probleme, do të hyjmë në një periudhë tjetër rreth një muaj e gjysmë, që ne e quajmë ‘prit dhe shiko’, me 30–50% të trafikut normal. Pikërisht atëherë do të shohim edhe anijet e para me kontejnerë dhe transportuesit e gazit të lëngshëm. Por kjo varet nga mungesa e incidenteve apo sulmeve të reja.”

ALEXIS ELLENDER: “Pas kësaj periudhe, hyjmë në një fazë normalizimi që mund të zgjasë edhe dy muaj e gjysmë të tjera. Vetëm më pas mund të shohim një rikthim më të afërt me normalitetin. Por është e rëndësishme të theksohet se nuk do të kthehemi në kushtet para luftës. Sigurimet detare do të mbeten më të larta dhe do të ketë një ‘premium rreziku’ për çdo udhëtim. Ashtu si në Detin e Zi, edhe në Gjirin e Lindjes së Mesme ky rrezik do të mbetet për vite me radhë.”

Sipas Ellender, gjërat nuk do të kthehen më si para luftës. Sigurimet detare do të mbeten më të larta, duke e bërë këtë rrugë më të kushtueshme për transportin.

ALEXIS ELLENDER: “Sfida për tregun është se ka shumë efekte afatshkurtra, por kjo situatë do të zgjasë. Nuk presim kthim në normalitet në një të ardhme të afërt, edhe nëse konflikti përfundon, sepse transporti detar tregtar është shumë i ndjeshëm ndaj rrezikut. Ekziston një diferencë e madhe mes asaj që politikanët mendojnë për gatishmërinë për rrezik dhe realitetit – që është shumë më i ulët.”

Eksperti përmendi edhe ndikimin te plehrat kimike. Mungesa e tyre mund të ndikojë në mbjelljet aktuale dhe ato të vitit të ardhshëm. Fermerët amerikanë mund të orientohen më shumë drejt sojës, që kërkon më pak plehra, ndërsa në Azinë Jugore prodhimi mund të bjerë. Ndikimi, sipas tij, do të ndihet jo vetëm këtë vit, por edhe vitin tjetër.

ALEXIS ELLENDER: “Sigurisht. Një shembull janë plehrat kimike, për të cilat është folur shumë. Këtu bëhet fjalë për kultura që sapo po mbillen ose për sezonin e ardhshëm. Në SHBA, fermerët po vendosin mes misrit dhe sojës – dhe soja kërkon më pak plehra, kështu që mund të mbillet më shumë. Në rajone si Azia Jugore, mungesa e plehrave do të ulë prodhimin bujqësor. Pra, ndikimi nuk do të jetë vetëm këtë vit, por edhe vitin e ardhshëm. Një tjetër aspekt është karburanti – mungesa e naftës dizel, për shembull në Bangladesh, ndikon drejtpërdrejt në sistemet e ujitjes dhe më pas në prodhimin bujqësor disa muaj më vonë.”

Vendet e Lindjes së Mesme po kuptojnë gjithnjë e më shumë varësinë nga Ngushtica e Hormuzit dhe po kërkojnë alternativa.
Për naftën, një zgjidhje janë tubacionet tokësore; për mallrat, zgjerimi i porteve jashtë ngushticës.

ALEXIS ELLENDER: “Është shumë e vështirë të sigurohen informacione të sakta nga portet iraniane dhe ato të rajonit, pasi të dhënat kontrollohen fort. Nga sa dimë, dëmet në infrastrukturën portuale nuk janë shumë të mëdha. Por problemi kryesor është më tej në zinxhirin e furnizimit – infrastruktura energjetike dhe eksportet. Për shembull, industria e aluminit në Gjirin Persik është goditur nga ndërprerjet e energjisë. Nëse një fabrikë alumini ndalon plotësisht, duhen muaj për ta rikthyer në funksion. Pra, portet nuk janë pengesa kryesore – problemi është rifillimi i gjithë industrisë.”

ALEXIS ELLENDER: “Do të ketë gjithashtu një reagim nga ekonomitë e rajonit, si vendet e Gjirit apo Arabia Saudite, që tashmë kanë parë sa e brishtë është varësia nga Ngushtica e Hormuzit. Ato do të kërkojnë të diversifikojnë rrugët tregtare – për shembull, për naftën përmes tubacioneve tokësore, ndërsa për mallrat duke zgjeruar portet jashtë ngushticës. Pas asaj që ndodhi javët e fundit, është e sigurt që do të investojnë në këtë drejtim.

Nga një korridor jetik i tregtisë globale, Ngushtica e Hormuzit po shndërrohet në një pikë presioni me pasoja zinxhir në ekonominë botërore, nga çmimet e energjisë, te bujqësia dhe zinxhirët e furnizimit. Edhe nëse armëpushimi mbahet dhe anijet rikthehen, ekspertët paralajmërojnë: kthimi në normalitet nuk do të jetë i shpejtë dhe as i plotë.

Sepse në këtë krizë, ajo që është tronditur më shumë nuk janë vetëm rrugët detare… por vetë besimi në sigurinë e tyre.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos