Në garë për 6 marsin, demokratët "harrojnë" proceset e brendshme zgjedhore

Nga A2 CNN
21 Shkurt 2022, 15:48 | Politikë
Në garë për 6 marsin, demokratët "harrojnë"

Zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, kanë bërë të harrohen proceset e nisura nga Partia Demokratike për zgjedhjen e kryetarëve të forumeve partnere, atij të gruas dhe atij të të rinjve.

Dy ditë para se Belind Këlliçi t’i bashkohej foltoreve të Sali Berishës, Lulzim Basha hapi garën për rifreskim të  strukturave të FRPD-së që do të pasoheshin me zgjedhjen e kreut të ri.

Orjela Nebiaj e cila është sekretare për organizatat partnere të PD-së, u vendos në krye të grupit të punës.

Në fund të janarit, ishte parashikuar të mbyllej paraqitja e kandidaturave, ndërsa më 10 shkurt duhej të përfundonte procesi i anëtarësimeve të reja.

E kontaktuar nga A2 CNN, Nebiaj shpjegoi djegien e këtyre afateve duke nënvizuar se kandidaturat i kanë gati, por nuk janë bërë publike për shkak të fokusimit te zgjedhjet e 6 marsit. Nga ana tjetër, mbështetës të Berishës nga forumi rinor thanë për A2 CNN se njerëzit e Bashës në PD, nuk kanë arritur të ngrejnë grupe pune për anëtarësimet e reja ndaj, sipas tyre, procesi ka dështuar. Njëkohësisht, me vendimin e Lulzim Bashës, Belind Këlliçi me vendim kryesie të FRPD-së, hapi garë paralele me atë të PD-së zyrtare për forumin rinor që duhej të përfundonte brenda marsit 2022.

A2 CNN kontaktoi me sekretarin e Përgjithshëm të FRPD-së, Grigels Muçollarin, të cilit i është deleguar menaxhimi i procesit. Ai shpjegoi se në ditët në vijim, pritet një udhëzim i ri për shtyrjen e zgjedhjeve për strukturat drejtuese të forumit rinor, për shkak të angazhimit në zgjedhjet e 6 marsit.

E njëjta situatë, shfaqet edhe me zgjedhjet për forumin e gruas, organizimi i të cilit iu besua Grida Dumës.

Duma ka zhvilluar disa takime me gra demokrate në Lezhë, Berat e Durrës, por zgjedhjet për këtë forum nuk janë mbajtur. Burimet nga grupi i punës thanë për A2 CNN se përsëri pengesë janë bërë zgjedhjet në 6 bashki, ndonëse nuk shpjeguan përse në pjesën dërrmuese të vendit ku nuk ka zgjedhje, procesi nuk ka avancuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos