Në garë për një "Oscar", "1917" favoriti kryesor, Fenix dhe Zellweger gati fjalimin e fitores

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2020, 16:52 | Showbiz
Në garë për një "Oscar", "1917" favoriti

Gara do të jetë e ngushtë, edhe pse ashtu siç do vit, edhe Oscar i 2020 i ka tashmë fituesit, së paku ato të publikut.

Çmimi më i rëndësishëm është Oscar 2020, për prodhimin më të mirë kinematografik të vitit. Për statujën e artë në garë janë 9 filma, ku pretendenti kryesor është “1917”, i vlerësuar muajt e fundit me një sërë çmimesh ndërkombëtare, e që qëndron në krye të arkëtimeve në kinema, që prej ditës së premierës.

Viti “1917” lufton kokë më kokë këtë vit me “Joker” apo “Once upon a time in Hollywood”. Betejë e fortë, deri në fund, do të jetë edhe ajo për regjisorin më të mirë, e ku viti “1917” pritet të rrëmbejë statujën e dytë të artë, me Sam Mendes, i cili përballë ka Martin Scorsese, Tod Filips, Quentin Tarantino e Bong Joon Ho.

Pas Golden Globes dhe çmimet BAFTA, Joaquin Fenix pritet të marrë një tjetër vlerësim, këtë herë një çmim Oscar si aktori më i mirë për rolin e tij në “Joker”. Kandidatë për statujën e artë janë edhe Antonio Banderas e Leonardo Di Caprio.

Kritikët kanë folur. Renne Zellweger e meriton një çmim Oscar si aktorja më e mirë protagonist, për rolin e Judy. Ky do të ishte Oscari i dytë për 50-vjecaren, e cila statujën e parë e rrëmbeu 16 vjet më parë, për rolin në filmin “Cold Mountain”.

Tom Hanks, Anthony Hopkins, Al Pacino e Brad Pitt, favoritë kryesorë, konkurrojnë për çmimin aktori më i mirë jo protagonist. Po ashtu në radhët e aktoreve femra, në garë për një statujë janë Laura Dern që shihet si favorite me Kathy Bates, Scarlet Johanson e Margot Robie.

Oscar për skenarin më të mirë pritet të shkojë për filmin “Parasite”, edhe pse në këtë kategori gara është vërtet e fortë. Toy Story 4 pritet të triumfojë në kategorinë e filmit më të mirë të animuar ndërsa “1917” mbetet favoritja për efektet më të mirë vizuale, prodhimi më i mirë grafik, çmimi i kinematografisë dhe miksimi më i mirë.

Mbrëmja gala do të jetë e gjatë, me ankth, pritje dhe në fund festë, që organizohet çdo vit nga “Vanity fair”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos