“Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne!”, Yuri Kim: Secili të bëjë pjesën e tij për të zgjedhur të ardhmen

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2021, 12:34 | Politikë
“Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne!”, Yuri Kim: Secili të

Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, ka rikujtuar sërish vizitën e parë të ambasadorit, Uilliam Rajerson, 30 vjet më parë dhe mbështetjen e palëkundur për Shqipërinë. Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne, shprehet ambasadorja teksa sjell në vëmendje sfidat dhe arritjet me të cilat është përballur vendi ynë, përgjatë 3 dekadave.

“Gjatë 30 viteve të shkuara, ka pasur sprova dhe sfida, por Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë qëndruar krah për krah gjatë gjithë kësaj kohe. Ne ishim me ju në vitin 1991 kur filluat udhëtimin tuaj demokratik. Ishim me ju në vitin 1997 kur demokracia juaj u vu në provë seriozisht. Ishim me ju në vitin 1999 për të luftuar padrejtësinë dhe sjellë paqe në Ballkanin Perëndimor. Ishim me ju në vitin 2009, ndërsa hynit në NATO, aleanca më e madhe që ka ekzistuar ndonjëherë. Kemi qenë me ju në përpjekjen tuaj për të zënë vendin që ju takon si anëtar i Bashkimit Europian. Jemi me ju sot, ndërsa ndërmerrni reforma të rëndësishme për të çrrënjosur korrupsionin dhe për të siguruar që çdo shqiptare e shqiptar të ketë një shans të barabartë për begati. Është mbresëlënëse të bësh inventarin e arritjeve të Shqipërisë në vetëm 30 vjet – anëtarësim në Këshillin e Europës dhe NATO, mikpritja e Defender 21, stërvitja më e madhe ushtarake në Europë, kandidatura për anëtarësim në BE, dhe shndërrimi në anëtar të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2022”.

Por Kim e vë theksin kryesisht te mbështetja për një Shqipëri ku kushdo është i barabartë para ligjit dhe apelon që çdokush të bëjë pjesën që i takon për të ecur përpara dhe për të zgjedhur të ardhmen.

“Jemi me ju edhe në këtë: Shqipëria është në gjendje për shumë më tepër. Jemi me ju në padurimin tuaj për një Shqipëri që është më e drejtë, më e fortë dhe më e pasur – një Shqipëri ku kushdo është i barabartë përpara ligjit, një Shqipëri që mbetet e fortë dhe sovrane, një Shqipëri ku cilido ka një mundësi të barabartë për begati. Siç kanë thënë shumë, demokracitë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, janë gjithnjë punë që vazhdon. Heroi i ndjerë i të drejtave civile të SHBA dhe anëtar i Kongresit të SHBA-së, John Lewis pati shkruar: “Demokracia nuk është gjendje. Është veprim dhe secili brez duhet të bëjë pjesën e vet.” Ndërsa festojmë 30-vjetorin e marrëdhënie diplomatike të rivendosura këtë vit dhe përgatitemi të festojmë vitin e ardhshëm 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, le të bëjmë edhe ne të gjithë pjesën tonë. Kam besim se ashtu siç kemi qenë në krah të njëri-tjetrit këto 30 vite të shkuara, do të vazhdojmë të jemi me njëri-tjetrin për të kapërcyer çfarëdo sfidash kemi përpara, për të rrokur mundësitë, për të ecur përpara, për të zgjedhur të ardhmen. Ne jemi me ju dhe ju jeni me ne!”.

Në reagimin e saj ambasadorja përmendi edhe ndihmat ndaj vendit tonë që sipas saj kanë kanë prekur drejtpërdrejt bashkësi dhe familje anembanë vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos