
Përmes një rrëfimi në retrospektivë ju sjellim eksperiencën e një të reje me drogat. E gjendur në kurthin e varësisë, ajo po përpiqet t’i shpëtojë rrethit vicioz të heroinës.
Sapo kishte filluar të zbulonte atë që ishte... të takonte pasionet e identifikonte veset e virtytet. Nëse nuk do të ishte aq domethënës, pas gati 15 vitesh ai moment me shumë gjasa do të ishte harruar. Por, jo... Darla e kujton qartë atë moment që do i ndryshonte jetën dhe në këtë rast jo për mirë.
“Kam që në moshën 16 vjeç që kam provuar barin dhe që atëherë deri tani”.
Pas ca kohës toksina e kanabisit nuk mjaftonte. Ajo kishte nevojë për drogë më të fortë.
“Kam provuar edhe me shiringë, vitin e fundit mu bë njëra këmbë trombozë. Vajta jashtë shtetit që u kurova”.
Dhe droga sjell probleme, sidomos kur përpiqesh të bësh ca para me të.
“Njihja një shokun tim dhe një tjetër që donte të më jepte punë, të shiste ndërkohë që ky kishte qenë i infiltruar. Ndërkohë që isha dhe unë me personin që shisja ata më pyesnin se ku i mbanin lekë dhe gjërat dhe na vendosën në bashkëpunim. Kam bërë një vit deri sa u zgjidh çështja”.
Më shumë se 1 mijë e njëqind shqiptarë, kryesisht të rinj e reja trajtohen aktualisht në qendra rehabilitimi si pasojë e varësisë nga droga. Shumica e tyre kanë humbur veten, arsimin, shoqërinë e madje familjen. (A2 Televizion)