




Një profesor i Harvard-it është shprehur gjatë një interviste me Joe Rogan se thuajse çdo bateri litiumi që përdoret për pajisjet elektronike sot në botën perëndimore mundësohet nga skllavëria në minierat e kobaltit në Kongo.
Siddharth Kara, autori i librit "Kobalti i Kuq": Si Gjaku i Kongos Fuqizon Jetët Tona, këmbënguli se nuk ekziston diçka e tillë si “kobalti i pastër”, termi që përdoret për të përshkruar kobaltin që nxirret nga minierat në kushtet e duhura të punës.
Në podcast-in e Joe Rogan-it, ai i tha moderatorit të show-t që mund të ndiqet në Spotify se në fakt thuajse çdo bateri litiumi që prodhohet sot mundësohet nga skllavëria.
“Kobalti është pjesë përbërëse në çdo bateri të ringarkueshme të prodhuar në botë sot. Çdo smartfon, çdo tablet dhe çdo pajisje elektronike varen nga kobalti.”
Për të mbështetur argumentin e tij, ai ndau një video që e kishte filmuar nga miniera në Republikën Demokratike të Kongos, në të cilën shfaqeshin qindra në mos mijëra minatorë që gërmojnë me duar.
Siddharth Kara këmbëngul se nuk ka parë kurrë një minierë kobalti ku puna e fëmijëve dhe skllavëria nuk janë dukshëm të pranishme. Sipas tij, minierat kontrollohen kryesisht nga kinezët. (A2 Televizion)