
Gjykata e Posaçme mbyll gjyqin për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili akuzohet nga SPAK për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”. SPAK ka kërkuar dënimin e Llallës me 2 vite burg. Vendimi do të shpallet në orën 13:30.
Përmes avokatit të tij, Llalla kërkoi të shpallet i pafajshëm për akuzën. Sipas Sokol Hazizajt, çështja ndaj Llallës është e paragjykuar, e njëanshme, e padrejtë dhe e paligjshme.
Për avokatin Hazizaj, procesi është i stisur. Avokati theksoi se të gjitha blerjet e trojeve nga Llalla janë bëre përmes kontratave noteriale dhe se çdo shpenzim financiar i tij ka qenë në rrugë bankare.
“Për shumën rreth 7 mijë dollarë për lindjen e djalit në SHBA, pagesat janë bërë nga një mik i tii shqiptaro-amerikan, i cili erdhi dëshmoi para jush dhe po ju dorëzojmë faturat origjinale të pagesave në bankë”, tha avokati.
***
Dy javë më parë, gjatë leximit të pretencës, përveç burgut, prokuroria i kërkoi Gjykatës së Posaçme dënim plotësues për Llallën, përjashtimin e tij nga funksionet publike për 5 vite. Kjo kërkesë finale e prokurorisë, vjen pasi ish-kryeprokurori hoqi dorë nga gjykimi i shkurtuar dhe procesi rifilloi nga zero me procedurë të zakonshme. Por, edhe pas pyetjes së dëshmitarëve në proces, prokuroria kërkoi të njëjtën masë dënimi për Llallën. Ndryshimi i vetëm është fakti se në rast fajësie, ish-kryeprokurori nuk përfiton ulje dënimi.
Ish-kryeprokurori u hetua dhe gjykua në gjendje të lirë dhe ndonëse rrezikon dënim me burg, ai nuk shkon në qeli para se një vendim i tillë të jepet nga një Gjykatë Apeli. Prej shkurtit 2018, Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve. (A2 Televizion)