Berisha “non grata” në SHBA!

Nga A2 CNN
19 Maj 2021, 22:51 | Aktualitet
Berisha “non grata” në SHBA!

Shpallja e Berishës “non grata”, Krasniqi: SHBA po jep mesazhin se gjërat nuk janë më si dikur

Politologu Afrim Krasniqi, në studion e “Absolut 4” në A2, tha se e sheh shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës si “zhvillim që lidhet me aktualitetin në Shqipëri dhe me një sjellje të re të palës amerikane ndaj Shqipërisë”.

“Deri më sot kemi kritikuar SHBA-në që premtimi i saj se Reforma në Drejtësi do të jepte rezultate dhe që politikanët do të përballeshin me drejtësinë, nuk është përmbushur. Amerika po mundohet që të japë një sinjal që gjërat nuk janë më si dikur. Fakti që në listë hyri edhe një individ i pushtetshëm, hap rrugën për zgjerimin e listës së personave “non grata”. Ne i kemi akuzuar gjithmonë politikanët për korrupsion. Ata që na kanë qeverisur, të majtë e të djathtë, kanë qenë simbolet e korrupsionit në Shqipëri”, u shpreh Krasniqi. (për më shumë)

Krasniqi: Berisha duhet të kishte një reagim shumë më dinjitoz

Politologu Afrim Krasniqi theksoi se ish-kryeministri Sali Berisha “duhet të kishte një reagim shumë më dinjitoz, më të plotë dhe një reflektim të thellë” pas lajmit të shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nga zoti Berisha duhet të kishte një moment reflektimi të thellë. Si është e mundur që politikani që në çdo botim konsiderohej si më proamerikani në vitet ’90, pas 30 vitesh bëhet politikani i parë shqiptar i nivelit të lartë që akuzohet nga SHBA? Si është e mundur që e nis karrierën politike duke qenë në një liste më Vaclav Havel dhe e përfundon në një listë me Vangjush Dakon dhe Tom Doshin? Për këtë, zoti Berisha duhet të kishte një reagim shumë më dinjitoz, më të plotë dhe një reflektim të thellë, për shkak se ky nuk është një lajm surprizë”, deklaroi Krasniqi. (për më shumë)

Pedagogu Kraki: Vendimi i DASH për Berishën, qesharak dhe absurd. Mund ta ketë këshilluar Yuri Kim

Pedagogu i shkencave politike në Francë, Nezir Kraki, e ka konsideruar vendimin e DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, qesharak dhe absurd. Në një lidhje me Skype nga Parisi në “Absolut 4” ai tha se nuk do të ishte habitur nëse ky vendim do të kishte ardhur nga administrata Trump, por Blinken ka njohur për Ballkanin dhe çështjen shqiptare.

“Blinken dihet që ka njohuri për dallim nga administrata e kaluar, ka njohuri për Ballkanin, Kosovën dhe çështjen shqiptare. U habita sot, po të kishte ardhur vendimi nga administrata e Trump nuk do të isha çuditur se me këtë vendim thuhet sikur Shqipëria ka përfunduar së ekzistuari para 8 viteve dhe këto vite nuk ka ndodhur asgjë. Për mua është qesharake, anakronike, absurde si ide dhe synim”. (për më shumë)

Berisha non grata nga SHBA, Dervishi: Mesazhi për drejtësinë e re. Reagimi i Bashës krijon terren për teori konspirative

Analisti Lutfi Dervishi ka komentuar në studion e “Absolut 4” vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit që shpalli non grata ish-kryeministrin Sali Berisha për korrupsion. Ai e ka cilësuar reagimin e Berishës pas këtij vendimi të qartë dhe të drejtpërdrejtë përkundër reagimit të kreut demokrat Lulzim Basha.

Reagimi i Sali Berishës ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë, kurse i Bashës ishte i vakët dhe asgjë të re”.

Sipas tij reagimi i Bashës nuk ishte ai që pritej nga selia blu, teksa shton që krijon teren për teori konspirative. Dervishi thekson se transparenca që kërkoi Basha nuk ka kuptim.

“Ajo që kërkoi Basha nuk ka shumë sens, se nuk ka transparencë me deklarata e Twitter-it. Nuk ishte reagimi që pritej nga selia blu. Reagimi i tillë çorienton dhe krijon terren për teori konspirative”. (për më shumë)

Berisha “non grata”, Gjoni: Sinjal i fortë i Blinken, që mesazhi nuk vjen nga ambasada, por nga Uashingtoni

“Kemi dy institucione përballë njëra-tjetrës, sekretarin i shtetit në detyrë dhe ish-kryeministri i një vendi me demokraci problematike, kë do priremi të besojmë? Unë e kam një përgjigje, pavarësisht dashamirësisë për kryeministrin e vendit dhe personat që janë përmendur nga departamenti i shtetit”.

Është e qartë analistja Edlira Gjoni, e ftuar në Absolut 4, mbi dinamikën që ka çuar sot në shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Në momentin që kjo shpallje vjen nga sekretari i shtetit, sinjali është i fortë sepse presidenti i Shqipërisë dhe eksponentë të ndryshëm shqiptarë e kanë përsëritur që shohin ambasadën e SHBA si diçka individuale, e Juri Kim, e Lu, Arvizu etj, dhe që ambasada nuk është Uashingtoni. (për më shumë)

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos