
Sasia e prurjeve në Liqenin e Fierzës, ka kaluar 720 metër kub ujë në sekondë, ndërsa niveli i ujit arriti 296.8 metra mbi nivelin e detit, njëra prej kuotave më të larta të viteve të fundit dhe për periudhën e kësaj fundpranvere.
Pasojë e kësaj rritjeje ishte dhe afrimi i sipërfaqes së ujit me linjën e tensionit të lartë, pranë Urës së madhe të Kukësit, në më pak se 1.5 metra, e duke u kthyer në një rrezik serioz për peshkatarët që lundrojnë me varka në këtë zonë gjatë kohës së peshkimit.
Për këtë arsye punonjësit e OSHEE, stakuan energjinë elektrike për qytetin e Kukësit dhe punuar për afro dy orë për të karikuar tre përcjellësit e kësaj linje kryesore të tensionit të lartë, e duke shmangur kështu edhe problemet e pasojat e rënda që mund të sillte një kontakt i mundshëm. Por ky nivel maksimal i liqenit të Fierzës, ka ndikuar pozitivisht në krijimin e njerëzve të bollshme ujore për një sezon vere dhe prodhim me kapacitet të plotë të energjisë elektrike në tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit.
Fierza punon me katër turbinat me një prodhim mesatar 410 megavat orë energji në ditë duke përmbushur jo vetëm, nevojat për konsum të brendshëm, por edhe shitje të energjisë. KESH ka prokuruar dhe lidhur kontrata për shitje të energjisë elektrike rreth 53 mijë megavat vetëm për javën 16 deri 23 maj, me një çmim 63.12 euro për megavat. Ndërsa shitja do të vijojë edhe gjatë periudhës qershor-korrik për të cilën po bëhen gati procedurat e prokurimit për kontratat e reja. (A2 Televizion)