Nëse do t’ju njoftonim që një ekspozitë është çelur në një qendër tregtare, me siguri do t’ju shkonte mendja në një sfilatë mode, për të rrëfyer tendencat e fundit të modës dhe prurjet e reja.
Por nuk është kështu nëse flasim për ekspozitën “Nebo” në Toptani Shopping Center. Është një ekspozitë me piktura, shumë prej të cilave jo të përmasave të zakonta, disa prej të cilave të punuara në disa shtresa.
I përngjajnë tablove që rrëfejnë edhe interierin e një arkitekture moderne apo një stili plot ngjyra, ashtu sikurse mund të jetë edhe gjendja që ofron një qendër tregtare me markat më të njohura.

Kuratori i kësaj ekspozite, Arbër Kadia, rrëfen se ky nuk është thjesht një ekspozim komercial i tablove, por edhe një mision për ta çuar pikturën te publiku në një kohë kur lufta bëhet për ta çuar publikun te piktura dhe galeritë ku ato ekspozohen.

“Ne në Shqipëri kemi një problem shumë të madh, nuk shkojmë nëpër galeri arti, prandaj menduam të çojmë veprat në një vend me komod, dhe të bëjmë një formë demokratizimi të artit, për ta larguar nga institucione që nuk funksionojnë, sepse po nuk funksionojë edhe arti, atëherë do të kemi probleme reale për sa i përket të përbrendshmet e kësaj shoqërie”, shpjegon Kadia.

Nebo, edhe pse një emër jo i zakonte për një ekspozitë, është emri i artistit që ka punuar për pesë vite këtë cikël pikturash, të cilat ekspozohen në katin e pestë të Toptani Shopping Center përgjatë gjithë javës. (A2 Televizion)