
Lidhja Demokratike e Kosovës zhvilloi mbledhjen e grupit parlamentar dhe të kryesisë së partisë. Në përfundim të këtij konsultimi të brendshëm u publikua dhe një deklaratë zyrtare.
LDK i bën thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë dhe të ndryshojë qëndrimet e saj për ndarjen e posteve ministrore. Gjithashtu shpreh gatishmërinë për të vijuar bisedimet me Albin Kurtin, mbi bazën e mirëbesimit dhe partneritetit.
"LDK-ja vlerëson se pushtetet e balancuara dhe përgjegjësitë e përbashkëta janë jetike për funksionimin e koalicionit të mundshëm, si dhe për funksionimin demokratik të institucioneve", thuhet në deklaratë.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Arben Gashi, publikoi një mesazh në rrjetin social Facebook, drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje. “Grupi Parlamentar i LDK-së, për zhvillime të reja ka qëndrimet e duhura”, shkruan ai.
Mbledhja grupit parlamentar dhe kryesisë së partisë zgjati mbi 3 orë. (A2 Televizion)